Foto: Ilustrim

Operacione masive në dasmat e Ferizajt

Policia e Ferizajt ka njoftuar për disa operacione në arrestimin dhe identifikimin e personave që kanë shtënë me armë zjarri në dasmat e organizuara në këtë rajon.

Njoftimi i policisë sqaron se arrestimi i parë është kryer në Shtime ku tek një djalë i mitur policia ka konfiskuar një armë me gaz me të cilën ishte shtëne në ajër.

Disa orë më vonë policia ka konfiskuar edhe një revole të prodhimit të Zastavës në po të njëjtin qytet. Bastisja e tretë është kryer në fshatin Cërnillë të Ferizajt ku pas orë 10 të mbrëmjes policia ka arrestuar një qytetarë tek i cili është konfiskuar një pistoletë e tipit Ekol Special.

Policia njofton se pas përfundimit të procedurave personat e ndaluar janë liruar me urdhër të prokurorit të shtetit.