Ia mësyn Italisë me 55 kilogramë ‘Cannabisë Sativa’

Policia Kufitare e Shqipërisë e ka parandaluar një ‘eksport’ të 55.5 kilogramë cannabis Sativa. Një person është arrestuar në flagrancë dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në pikën e kontrollit të kamionëve, në mjetin tip Scania, me drejtues shtetasin M.P., shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë konstatuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 14 pako me lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa me peshë 55.5 kilogramë e fshehur në vende të ndryshme”, thuhet në njoftimin e POlicisë së Shqipërisë.

Një tiranas dhe një vlonjat dyshohet se kanë qenë të përshirë në këtë tentim të trafikimit.

“Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M.P., 35 vjeç, banues në Tiranë, drejtuesi i mjetit. Po në lidhje me këtë rast, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë shpallur në kërkim policor shtetasin R.H., 52 vjeç, banues në Vlorë”, thuhet në njoftimin e Policisë.