Gjykata e dërgon Fitim Lladrovcin në trajtim psikiatrik

Sot në Gjykatën e Prishtinës është shpallur aktgjykimi ndaj të akuzuarit për shtytje në terrorizëm, Fitim Lladrovci.

Prokuroria Speciale akuzon Lladrovcin se përmes “Facebook-ut” kishte shpërndarë foto dhe video përmes se cilave kishte shprehur gëzimin dhe kishte përkrahur sulmet terroriste.

I pandehuri Lladrovci është dënuar me dy vjet burgim, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Megjithatë dënimin me burg, i akuzuari nuk do ta vuajë pasi  i është shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm  në liri, me ç‘rast i pandehuri është obliguar që të paraqitet në institucionet e kujdesit shëndetësor, për trajtim brenda kohës së ekzistimit në fuqi të kësaj mase, të përcaktuar sipas orarit dhe kohës së përcaktuar nga institucionet e për kujdesit shëndetësor.

“ Në rast se i akuzuari nuk i përmbahet, nuk e përmbush apo e ndërpret arbitrarisht masën e trajtimit , orarin e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik të përcaktuar nga institucioni shëndetësor përkatës gjykata këtë masë të trajtimit të detyrueshëm të trajtimit psikiatrik në liri do të ia ndërroj me masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në ndalim në institucionet shëndetësore “, theksoi gjykatësi Valon Kurtaj.

Ndërsa gjykata ka obliguar institucionit përkatës që do të merret me ekzekutimin e kësaj mase që ta njoftoj gjykatën me raport me shkrim lidhur me gjendjen shëndetësore të të pandehurit dhe atë se paku një herë në gjashtë muaj.

Masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik do të jetë në fuqi derisa të pushojnë rrethanat dhe nevojat për të cilat është shqiptuar kjo masë.

Kurse dënimi me burg i shqiptuar ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet derisa të ekzistojnë rrethanat për të cilat i akuzuari nuk do t’i nënshtrohet trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri.

Aktvendim të veçantë gjykata do të merr për ndërprerjen e arrestit shtëpiak ndaj të akuzuarit.

Gjykata po ashtu ka konfiskuar një thikë dhe një jelek ushtarak dhe dy rripa të zi.

Sipas aktakuzës Fitim Lladrovci ka bërë shtytjen në kryerjen e veprave terroriste, në atë mënyre që prej viti 2018 deri me datë 24 prill 2019, përmes rrjetit social në Facebook, me anë të një postimi ka shprehur gëzimin dhe ka përkrahur sulmet e fundit terroriste që kishin ndodhur në kisha dhe hotele në Sri Lanka- ku humbën jetën të paktën 139 persona, në mesin e të cilëve edhe 45 fëmijë.

Siç përshkruhet në aktakuzë i pandehuri ka postuar video incizime, fotografi dhe komente në formë të shkruar duke shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj Organizatës terroriste – Shteti Islamik “ISIS“, përmes të cilave postime shpreh urrejtje ndaj pjesëtareve tjerë të komunitetit dhe propagandon islamizmin.

Tutje i akuzuari Lladrovci  nga fotografitë e publikuara që paraqesin “xhihadistë“ dhe “sulmues  vetëvrasës“, i ka komentuar me qëllim që të shtyjë kryerjen e aktit terrorist, duke shkaktuar rrezik serioz që vepra të tilla edhe të kryhen.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “ Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”.