Gjakovë - Arrestohen dy të rinjë të dyshuar për grabitje të armatosur

Policia e Gjakovës, ka njoftuar se kanë arrestuar dy persona për grabitje të armatosur, të ndodhur me datën 17 janar 2021.

Të arrestuar janë: F. Z., i lindur me 13.09.1994 dhe S. A., i lindur me datë 29.09.1992.

Sipas Policisë, dyshohet se të njëjtit në grup kanë vepruar në rastin e grabitjes së armatosur e ndodhur më datë 17.01.2021 rreth orës 05:30 të mëngjesit.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se dy të dyshuarit të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur punëtorin në një pikë karburantesh në fshatin Shishman dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur.

Njoftimi thotë se të dyshuarit menjëherë pas grabitjes, në një fshat afër Gjakovës, kishin tentuar të djegin rrobat të cilat i kishin pasur veshur në momentin e kryerjes së veprës, e këtë me qëllim të zhdukjes së provave.

Mirëpo, pas një pune intensive hetuesit e Stacionit Policor në Gjakovë, kishin arritur që të identifikojnë kryerësit e mundshëm të këtij rasti dhe sot të dyshuarit janë arrestuar.

Të njëjtit pas arrestimit janë shoqëruar për në Stacionin Policor të Gjakovës, ku gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës kanë pranuar kryerjen e veprës penale.

Poashtu, të dyshuarit me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë, ndërkohë që hetimet për lidhshmërinë e tyre me ndonjë vepër tjetër penale po vazhdojnë nga Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor Gjakovë.