Drejtori i Policisë takon komandantët e stacioneve policore
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha ka takuar drejtorët e drejtorive rajonale dhe komandantët e stacioneve policore.
Policia e Kosovës ka njoftuar se një nga qëllimet e këtij takimi ishte prezantimi dhe analizimi i raportit nëntëmujor të këtij viti.
“Qëllimi i këtij takimi ishte i një rëndësie të veçantë, ku përveç prezantimit dhe analizimit të raportit nëntëmujor të këtij viti i cili pasqyronte rezultate pozitive dhe ulje të numrit të përgjithshëm të rasteve, u diskutuan edhe planet strategjike, objektivat specifike si dhe aktivitetet policore të cilat burojnë nga plani zhvillimor strategjik i PK-së, përfshirë strategjinë e Policimit të Udhëhequr nga Inteligjenca dhe Policisë në Bashkësi” – thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovë, drejtori Hoxha kërkoi nga të pranishmit që të zbatohen në përpikëri planet dhe objektivat strategjike policore si dhe synimet e planifikuara, e të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në: përmirësimin dhe ruajtjen e rendit e qetësisë publike; rritjen e bashkëpunimit dhe qasjen më proaktive me komunitetin përmes zyrtarëve sektorialë; menaxhimin e situatës së sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri të vendit; parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprimtarive kriminale; luftën kundër korrupsionit; uljen e shkallës së krimit të të gjitha formave; parandalimin, hetimin dhe uljen e rasteve të dhunës në familje; ngritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve; rritjen e performancës, integritetit, mbikëqyrjes më efikase dhe disiplinës në punë; ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare; trajtimin e rasteve të nxitjes së urrejtjes ndëretnike; -identifikimin e nevojave të burimeve njerëzore dhe atyre logjistike etj.