Dorëzohet në polici pronari i njërës kazino ilegale në Viti

Ka shkuar në pesë numëri i të ndaluarve për organizim të lojërave të fatit në Viti.

Katër të tjerë ishin arrestuar gjatë ditës pas bastisjeve në këto lokacione.

Ndaj tyre prokurorja Rozalinda Manastiri ka thënë për KALLXO.com, se do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.

Ata po dyshohen për organizim të bixhozit të paligjshëm.

Makineritë e njohura si aparatet në Viti janë zëvendësuar nga kompjuterët elektronik.

KALLXO.com ka siguruar prova se në njërin nga lokalet që janë bastisur sot këto makineri kanë qenë duke funksionuar.

Dy netë më parë, hulumtuesit e KALLXO.com, kishin arritur që të luanin brenda njërit nga këto lokale.

Sistemi i luajtjes ishte i thjeshtë, mjaftonte që të mbushni llogarinë dhe kompjuteri aktivizohej në mënyre automatike.

Aksioni i ndërmarrë sot nga prokuroria e Gjilanit përfundojë me arrestimin e katër personave dhe sekuestrimin e dhjetëra kompjuterëve dhe provave të tjera materiale.