Etem Arifi (në këmbë) gjatë një gjykimi.

Depueteti Etem Arifi sfidon Policinë e Kosovës, 48 ditë nga urdhërarresti ende në arrati

Kanë kaluar 48 ditë që nga data kur Gjykata e Prishtinës, ka lëshuar urdhëresë për arrestimin, ndalimin dhe dërgimin në qendrën për vuajtje të dënimit për deputetin Etem Arifi.

Policia e Kosovës me urdhërin e Gjykatës së Prishtinës  së datës 24 korrik është vënë në kërkim të deputetit Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrimin me subvencione.

Por i njëjti nuk është gjetur në banesën e tij edhe pse është kërkuar disa herë njoftoi Policia e Kosovës për KALLXO.com.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saj në të gjitha rastet i ndermerr konform autorizimeve dhe legjislacionit në fuqi. Po ashtu Policia e Kosovës ka bashkëpunim dhe koordinim të mire me autoritetet e drejtësise, në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, ku personin në fjalë e ka kërkuar disa herë në adresen e banimit por i njejti nuk është takuar. Lidhur me këtë janë njoftuar organet e drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Po ashtu, KALLXO.com është munduar ta kontatojë Arifin në telefon por të njëjtin e kishte jashtë linjës.

Pasi që Gjykata Supreme i refuzoi kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë si të pabazuar, dënimi prej 1 viti e 3 muajsh deputetit Arifi, iu bë i plotfuqishëm.

Kujtojmë se i njëjti më 9 mars 2020, është dashur të paraqitet në Qendrën për vuajtjen e dënimit.

Por i njëjti për shkaqe shëndetësore kishte arritur 2 herë të shtyente ekzekutimin e dënimit për nga 2 muaj.

Herën e tretë Gjykata e Prishtinës, i kishte refuzuar kërkesën për shtyerje të dënimit si të pabazuar.

E këtë vendim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, kur i’a  refuzoi  si të pabazuar ankesën e të dënuarit Arifi.

Por deputeti i dënuar Etem Arifi, edhe pse i është refuzuar kërkesa për t’u paraqitur për vuajtje të dënimit nuk ka shkuar vullnetarisht në burg.

Andaj Gjykata e Prishtinës me 24 korrik 2020, ndaj të njëjtit ka lëshuar urdhërarrest, i cili fatkeqësisht ende nuk ka mundur të zbatohet.

Kujtojmë se Etem Arifi dhe Bajram Gashi me 20 prill 2018,  janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin akuzuar për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkalinj të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.