Ilustrim

Behgjet Pacollit iu kërkuan rrejshëm 850 mijë euro për të shpëtuar nga Gjykata Speciale

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me dyshimet se i ka kërkuar një shumë të madhe të parave Behgjet Pacollit për ta shpëtuar nga hetimet nga Gjykata Speciale.

KALLXO.com merr vesh se personi i dyshuar është Enis Haradini ndërsa duke u thirrur si person i lidhur me Gjykatën Speciale ai person ka tentuar t’i marrë rreth 850 mijë euro Pacollit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale pak javë pasi në media ishte dhënë lajmi se Gjykata Speciale po dërgonte ftesat për ish- pjesëtarët e UÇK-së, Enis Haradini kishte kontaktuar Behgjet Pacollin duke i thënë se kishte informacione për aktakuzat dhe për një dosje ndaj tij.

Sipas hetimeve të prokurorisë E.H. i kishte thënë viktimës se kishte lidhje me prokurorët e Gjykatës Speciale dhe mund ta shpëtonte nga akuza.

Për këtë çështje fillimisht i pandehuri kishte kërkuar 850 mijë euro pastaj 360 mijë euro e në fund pazari kishte rënë në 190 mijë euro.

Shantazhin i pandehuri e kishte drejtuar edhe tek vajza e viktimës të cilës i kishte dërguar një mesazh ku e paralajmëronte se babin e kishte në rrezik.

“Babai yt është në rrezik dhe ti mundesh me evitua situatën“ shkruhej në mesazh

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Enis Haradinit pasi i njëjti ishte arrestuar në mars të këtij viti.