Ilustrim: Prangosja e një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohen tre persona të dyshuar për mashtrim me prona në Prishtinë

Policia ka bërë të ditur se më 01.11.2024 ka arrestuar tre të dyshuar të përfshirë në një skemë të sofistikuar të mashtrimit me prona në Prishtinë.

Sipas njoftimit, që nga data 18.10.2024, specialistë nga Njësia rajonale e hetimeve të përgjithshme, përpunuan informacionet që sugjeronin se disa persona përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara të identifikimit, siç thuhet në njoftim, tentonin të realizonin me mashtrim shitjen e një parcele me vlerë të lartë në zonën kadastrale të Matit në Prishtinë.

“Pas ndërmarrjes së veprimeve gjithëpërfshirëse hetimore, hetuesit policor identifikuan të dyshuarit, kohën dhe vendndodhjen e tyre të synuar për kryerjen e mashtrimit, në një zyrë noteriale në Gjilan. Kësisoj, rreth orës 11:30, policia arrestoi tre të dyshuar, (dy meshkuj dhe një femër) dhe në përputhje me aktvendimin e nxjerrë nga prokurori i shtetit, caktoi masën e ndalimit prej 48 orësh”- thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, hetimet e mëtejshme kanë çuar në identifikimin edhe të një të dyshuari tjetër, i cili aktualisht është në kërkim nga ana e policisë.