Aksion i Policisë në Skenderaj, konfiskohen qindra paketime të barnave pa banderolë
Në një aksion të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik, në disa nga barnatoret e qytetit të Skenderajt janë konfiskuar një sasi e madhe e barnave pa banderolë.
“Pas realizimit të kontrollit të përbashkët me inspektoratin kompetent në dy barnatore janë gjetur sasi e barnave pa banderola, rreth 261 paketime të llojeve të ndryshme, rreth 58 copë ampula, që nuk u dihej prejardhja dhe barna nga lista esenciale (20 insulina), të cilat edhe janë konfiskuar nga inspektorët kompetentë”, thuhet në komunikatën e policisë.
Tutje Policia njofton se ndaj dy personave të dyshuar është iniciuar rast për prodhim dhe shpërndaje të produkteve mjekësore.
“Lidhur me këto raste është njoftuar prokuroria dhe sipas udhëzimeve të prokurorit kujdestar ndaj dy personave të dyshuar është inicuar rasti në procedurë të rregullt ”Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore” sipas kodit penal të Republikës së Kosovës, për procedura të mëtejme”, thuhet tutje në komunikatë të Policisë.