Aksidenti në Prishtinë: Dyshime se frenat e kamionit të Higjienoteknikës ishin të prishur

Makineria e pastrimit e cila pretendohet se shkaktoi aksidentin gjigant në Prishtinë është konfiskuar, ndërsa dyshimet e para janë se kamioni kishte problem me frena.

Tre qytetarë u lënduan dhe 9 makina u dëmtuan, pasi kamioni i mbeturinave doli nga kontrolli në njërën nga rrugët kryesore të kryeqytetit.

“Deri më tani kemi informacionin që kamioni ka pasur problem me frena. I njëjti kamion është konfiskuar dhe do të dërgohet në mënyrë urgjente për kontrollim që më pas të dalim me një raport përfundimtar nëse kanë qenë frenat apo drejtimi problem”, ka thënë për KALLXO.com Milaim Fejzullahu komandant i njësisë së Trafikut në Prishtinë.

Kompania publike në pronësi të së cilës është kamioni nuk ka dhënë sqarime deri më tani.