Policia në gatishmëri për koncertin e ‘Unikkatil-it’ në Gjilan
Policia e Kosovës është në gjendje të gatishmërie lidhur me një koncert që reperi ‘Unikkatil’, pritet ta mbajë në Gjilan.
Kjo për shkak të disa kërcënimeve që u raportua se kanë ardhur pas paralajmërimit për performancën e Viktor Palokajt (Unikkatilit).
Ardhja e tij u bë e ditur mbrëmjen e kaluar nga stafi i diskotekës.
Reagimet për këtë njoftim kanë qenë të menjëhershme për shkak të një rivaliteti që kanë pasur dy grupe, ai i ‘Unikkatil’ dhe ai i reperit gjilanas, Burim Osmanit i njohur për publikun si “Duda”.
Policia gjatë ditës s; djeshme ka inicuar një rast kanosjeje për këtë çështje.
Zëdhënësi të Policisë në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani kishte treguar se kërcënimet dyshohet se i janë bërë pronarit të diskotekës.
“Dy ditë më parë me anë të Messenger-it dhe Snapchat-it është kërcënuar një bashkëpronar i diskotekës “Stop” në Gjilan”, tha ai.
Sipas policisë, kërcënimet janë bërë për shkak të pjesëmarrjes së Unikkatil-it në mbrëmje muzikore Gjilan.
Në një foto të cilën e posedon KALLXO.com dhe e cila ka qenë e publikuar në llogarinë e reperit gjilanas Burim Osmani “Duda” në Facebook thuhet se “Gjak borgj më keni publikisht le ta dijnë krejt”, duke iu referuar dy bashkëpronarëve te diskotekës “Stop”.
Kjo fotografi me mesazh kërcënues nuk gjendet më në llogarinë e Osmanit.
Hashani i ka thënë KALLXO.com se një person është arrestuar dhe është intervistuar nga policia dhe më pas është ndaluar për 48 orë.
Sipas Hashanit, personi tjetër Duda, edhe ky i dyshuar, është kërkuar në shtëpinë e tij por i njëjti besohet se gjendet jashtë vendit.
Ky i fundit është i njohur për policinë për vepra të tjera.
KALLXO.com ka kërkuar një koment nga ‘Duda’ por ai nuk është përgjigjur deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.
Probleme reperësh: Pronarët e diskotekës marrin kërcënime për koncertin e ‘Unikkatil’ në Gjilan