Policia jep detaje për të shtënat me armë në Prishtinë

Dy persona kanë njoftuar Policinë se kanë qenë cak i gjuajtjeve me armë.

Dy ankuesit kanë raportuar në Polici se disa persona të armatosur kanë gjuajtur në drejtim të lokalit të tyre, i  cili gjendet në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë Daut Hoxha.

Ai për KALLXO.com ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 20:30 ndërsa Policia menjëherë pas marrjes së informacionit ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Me të dalë në vendin e ngjarjes, Policia ka kontaktuar edhe me dy ankuesit, me ç’rast të njëjtit kanë njoftuar se janë sulmuar nga disa persona të cilët nga rruga kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të lokalit të dy  ankuesve”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Tutje ai ka njoftuar se të dyshuarit janë të njohur për Policinë.

Hoxha shtoi edhe se në lidhje me këtë rast nuk është raportuar për persona të lënduar ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe disa gëzhoja.

“Policia është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat e rastit”, tha në fund Hoxha.

KALLXO.com raportoi në lidhje me këtë rast.

FOTO: Gjuajtje me armë në Prishtinë