Ilustrim

Policia arreston 44 vjeçarin qe lëvizte me autoblindë

Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar një 44 vjeçar i cili qarkullonte me mjet të blinduar dhe me fenelina [drita policie], si dhe mbante me vete një armë zjarri pa leje.

Policia e Shtetit përmes një njoftimi ka bërë të ditur në ‘Facebook’, se gjatë kontrollimit, drejtuesi i mjetit me iniciale M. V., 44 vjeç, nga Fushë Kruja rezultoi se drejtonte një automjet të blinduar pa autorizimin përkatës dhe me mangësi në dokumentacionin e mjetit.

“Automjeti i blinduar u sekuestrua ne ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime te tjera hetimore e procedurale. Ndërkohë, ky shtetas është ndëshkuar edhe me masën administrative “Tërheqja e lejes së drejtimit”, për përdorim të sistemeve shtesë dhe mungesë të dokumentacionit të automjetit të blinduar”, thuhet në postim.

Më tej, bëhet e ditur se është arrestuar edhe një vozitës që drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe transportonte disa shtetas të huaj, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt përfitimit.

“Policia Rrugore e kryeqytetit, në vijim të kontrolleve parandaluese për aksidentet rrugore, verifikimin e automjeteve që përdorin sisteme pamore dhe zanore shtesë, si dhe në zbatim të planit të masave të DVP Tiranë për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri, gjatë monitorimit të sjelljes se përdorueseve të rrugës, në rrugën interurbane Vorë-Krujë ka konstatuar në lëvizje një automjet që përdorte sisteme pamore shtesë dhe menjëherë është vënë në ndjekje të tij duke e ndaluar atë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, nga kontrollet e tjera policore, nga efektivet e Policisë Rrugore Tiranë janë arrestuar në kushtet e flagrancës edhe dy shtetas të tjerë të shpallur në kërkim, E.K 20 vjeç për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të rendit publik” dhe B. Sh., 40 vjeç për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të rendit publik”.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se nga data 1 deri në 14 janar 2020, janë sekuestruar 3 pistoleta, 4 kallashnikovë, 3 armë gjahu, 3 pushkë, 1 silenciator, fitil zjarrpërcjellës dhe 3 armë të ftohta (thika).