Foto: KALLXO.com

Polici i Kosovës akuzohet se mori ryshfet 2 mijë dinarë

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi ndaj Goran Dimitrijeviqit, i akuzuar për veprën penale – marrje e ryshfetit.

Sipas aktakuzës, Dimitrijeviq veprën e ka kryer më 27 shkurt 2016, në vendkalimin kufitar në Jarinjë, te sporteli i regjistrimit të udhëtarëve.

Rasti, sipas Prokurorisë, ka ndodhur kur i dëmtuari Radula Vukajloviq po hynte në Kosovë nga Serbia. Ai ishte ndalur në mënyrë të rregullt në vendkalim dhe i ka dorëzuar dokumentet në sportel te zyrtari policor, Radoje Anxhelkoviq, i cili ka qenë i obliguar që të bëjë regjistrimin në sistem.

I dëmtuari e kishte paralajmëruar zyrtarin policor se bashkëshortes së tij i kishte kaluar afati i letërnjoftimit. Pas kësaj, Radoje Anxhelkoviq e kishte thirrur kolegun e tij, tani të pandehurin Goran Dimitrijeviq, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Pas kësaj, i akuzuari Dimitrijeviq i kishte marrë dokumentet në dorë dhe kishte urdhëruar të dëmtuarin Vukajloviq që automjetin ta parkonte, pastaj kishte shkuar deri te kontejneri dhe ishte kthyer pas pesë minutash, duke ia kthyer dokumentet të dëmtuarit dhe duke i thënë: “Nuk mund të ndihmoj”. Fjala ishte, sipas Prokurorisë, për dëshmitaren – bashkëshorten e të dëmtuarit që të kalojë me atë dokument, sepse kinse “shefi ka thënë se duhet diçka të qerasim”. Atëherë, i dëmtuari e kishte kuptuar se duhet të japë para në mënyrë që gruaja e tij të vazhdojë rrugën.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte dalë nga automjeti dhe në momentin kur i ka nxjerrë paratë për t’ia dhënë policit, tani të akuzuarit Goran Dimitrijeviq, ky i fundit i kishte thënë me zë të ulët: “Mos i nxjerr paratë në vend të dukshëm!”. Pastaj së bashku me të dëmtuarin, siç thuhet në aktakuzë, kishin shkuar pas kontejnerit të fundit dhe atje i dëmtuari ia kishte dhënë policit-të pandehurit paratë në shumën prej 2.000 dinarë. Aty, sipas aktakuzës, i pandehuri i kishte thënë të dëmtuarit: “Mos i trego askujt se ke dhënë para dhe e ke kaluar në këtë vendkalim kufitar”.

Pas kësaj i dëmtuari kishte kaluar kufirin.

Kurse Dimitrijeviq ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit, për të cilën akuzohet nga Prokuroria.

Me rastin e dhënies së fjalës hyrëse në seancën e sotme prokurorja e rastiti Fetije Bajrami-Shala ka deklaruar se përmes CD-ve, dëshmive të dëshmitarëve e foto – dokumentacionit do të vërtetohet që i pandehuri ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Dimitrijeviq, avokati Millosh Deleviq, ka deklaruar se nuk ka prova të mjaftueshme, me të cilat vërtetohet gjendja faktike si në aktakuzë.

Ai ka thënë se nuk ka dëshmitar okular, ndërsa nga foto-dokumentacioni sipas tij, nuk provohet se klienti i tij ka pranuar ryshfet.

Ndërsa meqenëse, në seancën e së enjtes kanë munguar dëshmitarët Mira, Stefan dhe Jelena Vukajloviq, po ashtu edhe i dëmtuari Radula Vukaljeviq, gjykimi është shtyrë për një ditë tjetër.

Gjykatësi Tomisllav Petroviq ka deklaruar se dëshmitarët dhe i dëmtuari do të ftohen përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, pasi ata janë shtetas të Serbisë, duke caktuar kështu seancën e radhës për 10 prill.