Arkiv - Ilustrim - Veturat e Policisë te Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Polici i akuzuar për ryshfet nuk i përgjigjet ftesës së gjykatës

Seanca ndaj zyrtarit të Policisë Isa Jashari, i akuzuar për marrje të ryshfetit, ka dështuar të bahet sot në Gjykatën e Prishtinës.

Polici i akuzuar nuk ishte paraqitur në seancën e planifikuar të mbahej sot dhe kjo bëri që seanca të dështojë.

Isa Jashari akuzohet për marrje të ryshfetit nga e dëmtuara L.I.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Jashanica tha se i akuzuari do të sillet me urdhëresë seancën e ardhshme e caktuar të mbahet me datë 24 shtator.

Sipas aktakuzës, në maj të vitit 2017 në Fushë Kosovë, i akuzuari Isa Jashari ka kërkuar dhe pranuar nga e dëmtuara L.I. 110 euro në emër të kryerjes së një rasti civil në Gjykatën e Skenderajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, qëllimi i marrjes së ryshfetit ishte që personi zyrtar në këtë Gjykatë të veproj ose të mos veproj në pajtim me detyrën zyrtare, në të cilin rast civil ishte e përfshirë e dëmtuara, L.I., si palë e që kishte të bënte me çështjen e besimit të fëmijëve të saj duke i premtuar të njëjtës se do të kryente këtë rast brenda tri dite.

Pasi e dëmtuara, L.I. kishte shkëputur kontratën me të akuzuarin, rastin e kishte paraqitur në polici.