Polici dyshohet se me furgon kontrabandoi mall nga Serbia në Kosovë

Inspektorati Policor i Kosovës ka treguar veprimet e ndërmarra në rastin e arrestimit të zyrtarit policor të Gjilanit për kontrabandë me mallra.

Sipas njoftimit të IPK-së, arrestimi i policit ishte bërë mbrëmë në fshatin Novosellë të Kamenicës.

Përvec zyrtarit policor, i arrestuar ka qenë edhe një person tjetër.

“Dyshimet fillestare janë se të njëjtit me një automjet-furgon përmes rrugëve ilegale nga Serbia për në Republikën e Kosovës kanë kontrabanduar mallra. Pas kontrolleve në furgon janë gjetur gjësende për të cilat të dyshuarit nuk posedonin dokumentacion përkatës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Tutje thuhet edhe se hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë kontaktuar edhe me prokurorin kujdestar me vendim të të cilit të dyshuarve të arrestuar u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka raportuar në lidhje me policin e arrestuar.

Pamje: Reagimi i policëve nga Leposaviçi kur arrestohen