Po tentonte të dërgonte dy të mitur në Itali, arrestohet i dyshuari në Merdare

Një person është arrestuar gjatë orëve të mbrëmjes për trafikim me emigrantë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se arrestimi ka ndodhur në pikën kufitare në Merdare në dalje të Kosovës.

“Gjatë procedurave kufitare të kontrollit të automjeteve dhe udhëtarëve është kontrolluar një veturë me targa italiane. Në veturë ishin pesë persona dy shtetas të Sllovakisë (nënë e djalë, vitet e lindjes 1986 dhe 2017), një mashkull kosovar Q.P. viti i lindjes 1996 dhe dy të mitur meshkuj kosovarë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia tutje ka thënë se gjatë trajtimit të personave krijojnë dyshimin se mund të jetë ky një rast i trafikimit me emigrantë.

“Policia ka intervistuar të dyshuarin Q.P. në prezencë të avokatit të tij. Po ashtu janë intervistuar edhe dy viktimat (të miturit) në prezencë të prindërve të tyre”, thuhet tutje.

Gjatë procedurave të intervistimit dhe provave tjera dyshohet se dy të miturit kishin marrëveshje paraprake me të dyshuarin që të dërgoheshin në Itali pa poseduar dokumente për të lëvizur në zonën Schengen.

Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare me aktvendim të së cilës i dyshuari dërgohet në mbajtje nën dyshimin e përfshirjes në veprën penale ‘kontrabanda me emigrantë’.