Plani strategjik i KGjK-së synon rritjen e produktivitetit dhe efikasitetit në trajtimin e lëndëve të korrupsionit

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka miratuar planin strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Plani strategjik për lëndët e korrupsionit është paraparë të vlejë për periudhën kohore 2022-2024.

Një ndër objektivat e këtij plani është rritja e produktivitetit dhe efikasitetit në trajtimin e lëndëve të natyrës se korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Plani parasheh që ky objektiv të arrihet përmes analizës së lëndëve në trajtim dhe resurseve në dispozicion, zvogëlimi i numrit të seancave joproduktive, ndërmarrjen e masave mbikëqyrëse dhe disiplinore për gjyqtarët dhe inicim të masave lidhur me avokatët/palët dhe prokurorët.

Analiza e lëndëve në trajtim dhe resurseve në dispozicion

Përmes kësaj pike synohet që të bëhet mbledhje e të dhënave për të gjitha rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar që janë në trajtim në gjykatat e Kosovës, pa marrë parasysh se në cilën shkallë janë këto raste.

Po ashtu parashihet matja e kohës dhe resurseve që investohen në gjykimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Rezultati që pritet përmes kësaj objektive është që të tregohet numri i lëndëve, stadi i tyre, dhe veprimet që janë ndërmarrë për trajtim të rasteve.

Kjo analizë po ashtu parashihet të tregojë resurset e alokuara dhe nëse të njëjtat janë apo jo të mjaftueshme për gjykatën përkatëse.

KGjK ka paraparë vendim për ndryshimin e normës për gjyqtarët që trajtojnë këto lëndë, dhe përmes këtij vendimi anëtarët e trupit gjykues që marrin pjesë në trupe gjykuese për trajtimin e këtyre lëndëve do t’iu ndahen pikë (normë), ashtu siç i ndahen edhe kryetarit të trupit gjykues që i është ndarë lëndë për punë.

Zvogëlimi i numrit të seancave joproduktive

Plani strategjik parasheh që seancat e njëpasnjëshme në rastet e korrupsionit do të organizohen sipas kalendarit të paracaktuar nga gjyqtari përkatës në bashkëpunim me gjyqtarët e trupit gjykues.

Më këtë synohet që të evitohen shtyrjet e panevojshme dhe të shmangen zvarritjet e lëndëve.

Kujdes i posaçëm në kuadër të kësaj nënobjektive i është kushtuar ndërmarrjen e masave për parandalimin e parashkrimit të lëndëve.

Kështu parashihet që kryetarët e gjykatave të përdorin të gjitha mekanizmat e brendshëm, siç janë takimet, kolegjiumet, koordinimin me udhëheqësit e departamenteve dhe divizioneve gjyqësore për të siguruar se nuk ka lëndë që rrezikojnë parashkrimin.

Që të arrihet deri të zbatimi i kësaj objektive plani parasheh edhe ndërmarrjen e masave mbikëqyrëse dhe disiplinore për gjyqtarët dhe inicim i masave lidhur me avokatët/palët dhe prokurorët.