Plagosja e Azem Vllasit, ndërpritet seanca ku po merrej në pyetje i akuzuari Sadri Ramabaja

Seanca gjyqësore për plagosjen e avokatit Azem Vllasi ku po merrej në pyetje i akuzuari Sadri Ramabaja është ndërprerë.

Shkak për ndërprerjen e saj ishte deklarimi i avokatit Muhamet Humolli, i caktuar sipas detyrës zyrtare nga Oda e Avokatëve.

‘’Në bazë të pikës 2 të aktakuzës e që ka të bëjë me veprën penale dhunimi I të  dëmtuarit N. Z. për të cilin i akuzuari Avni Llumenica nga Prokuroria ngarkohet se e kishte dhunuar të njëjtin në qendrën e paraburgimit, prandaj konsideroj se nuk mund të vazhdoj me mbrojtjen e të akuzuarit Avni Llumenica për shkak se N. Z. e kam mbrojtur në një proces tjetër penal’’, tha avokati Humolli.

Kjo përzgjedhje e avokatit Muhamet Humolli ishte bërë nga Oda e Avokatëve, sipas kërkesës së të akuzuarit në seancën e datës 29 shtator në të cilën i akuzuari Llumenica kishte kërkuar që të përfaqësohej nga një avokat jo shqiptar.

Rasti i plagosjes së Azem Vllasit, i akuzuari Avni Llumnica kërkon avokat joshqiptar

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.

Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues, si dhe dy anëtarët e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë është duke e përfaqësuar Prokurori Special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.