Pjetër Shala pritet të ballafaqohet me dëshmitarët e Prokurorisë
Në Dhomat e Specializuara të Hagës pritet të mbahet gjykimi ndaj Pjetër Shalës, i njohur si Komandant “Ujku”, që akuzohet për krime lufte.
Seanca vazhdon sot me dëgjimin e dëshmitarëve të Prokurorisë.
Shala ngarkohet për krimet që u kryen midis 17 majit dhe 5 qershorit të vitit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, në Shqipëri, e cila pretendohet se ishte nën kontrollin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Gjykimi ndaj Shalës filloi më 21 shkurt 2023. Ai u deklarua i pafajshëm, ndërsa Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave paraqitën deklaratat hyrëse.
Në deklaratën e tij para trupit gjykues, Shala tha se kishte luftuar kundër një makinerie ushtarake të një regjimi kriminal të Slobodan Millosheviq, por kurrë kundër civilëve.
Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës. Kjo gjykatë ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte në dhjetor të vitit të kaluar.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u dënuan nga DHSK për pengim të administrimit të drejtësisë. Nga Apeli dënimi iu ul nga 4 vjet e gjysmë sa ishin dënuar secili në 4 vjet e tre muaj.
Ndërkaq, më 3 prill, pritet të nisë gjykimi i radhës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi.
Katër ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.