Pjetër Ndrecaj në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Pjetër Ndrecaj mohon akuzën për vrasjen e gruas dhe të vajzës

I akuzuari për vrasjen e gruas së tij Valbona Ndrecaj dhe vajzës së tij 9 vjeçare, Pjetër Ndrecaj, është sjellë në Gjykatën e Gjakovës me zinxhirë në duar e këmbë dhe me jelek antiplumb për t’u përballur me akuzat për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Ky rast gjyqësor është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës pasi që Gjykata e Apelit e kishte dënuar Ndrecajn me burgim të përjetshëm.

Në seancën e sotme, i akuzuari e pranoi akuzën për armëmbajtje pa leje por jo se kishte kryer vrasjen e dyfishtë.

Sot, dëshmuan familjarë të të dyja familjeve.

Kujtim Marku, vëllai i tani të ndjerës Valbona Ndrecaj, tregoi se martesa mes motrës dhe dhëndrit kishte qenë rezultat i një mesitnie.

Ai tha se në dy-tri vitet e fundit, motra dhe dhëndri nuk i kanë pasur raportet e mira dhe se motra i kishte mbajtur të fshehta, derisa një ditë kishte shkuar në shtëpinë e tij e rrahur.

“I kemi kërkuar disa herë Pjetrit për me sjell burra që me fol se çka është dhuna në familje, por ai asnjëherë nuk ka dëgjuar”, tha Kujtim Marku.

Dëshmitari tha se diku rreth 4 muaj para vrasjes, me iniciativë të Pjetër Ndrecajt kishin biseduar por që ky i fundit nuk e mbante fjalën asnjëherë.

“Kur kanë kaluar një muaj nga ky takim, Pjetri prapë e ka rrahur motrën e pastaj e kemi paraqitë rastin në Polici dhe motra ime ka thënë që vetëm e vdekur do të kthehem te burri dhe menjëherë ka bo padi për shkurorëzim”, deklaroi Kujtim Marku.

Më tej ai tha se i akuzuari e kishte të ndaluar nga Gjykata t’i afrohet Valbonës. Megjithëkëtë,  ai e përcillte çdo ditë se ku shkon, çka bën e me kë del.

“Motrës i vinin kërcënime e shantazhe në telefon dhe prapë kemi paraqitë rastin në Polici”, shtoi Kujtim Marku.

“Pjetri ka ardhë te dera e hyrjes. Unë kam qenë duke dalë prej derës së dhomës ndërsa vëllai i madh, Shkëlzeni, ka qenë duke hyrë dhe për një moment më ka ngreh, sepse të dy kemi qenë para plumbave”, deklaroi Kujtim Marku.

Dëshmitari tha se atë natë kishte tentuar ta kapte Pjetër Ndrecajn, por ai kishte ikur.

“Në ato momente kur kam tentu ta kap kam dëgju të shtëna rafal. Nuk e di a kanë qenë prej tij apo prej dikujt tjetër që ka qenë me të, e pastaj veç kam dëgjuar fjalët: “Ik, ik!”, tha dëshmitari.

Ai tha se bashkë me vëllanë e tij, Shkëlzenin, e kishin kapur motrën e vdekur dhe vajzën e cila ishte gjallë për ta dërguar në spital, por që atje vajza kishte vdekur.

Kujtim Marku tregoi se atë natë e kishte parë Pjetër Ndrecajn duke qeshur e sharë.

“Unë e kam parë Pjetrin duke tentuar të gjuaj me armë përmbi krah të nënës sime, me na gjujt mua dhe vëllanë”, tha dëshmitari.

Marku tha se indirekt ka qenë i kërcënuar nga dhëndri i tij, Pjetër Ndrecaj.

Në dëshminë e Kujtim Markut, i akuzuari Pjetër Ndrecaj tha se krejt kjo gjë ka ndodhur sepse Shkëlzen Marku ka dashur ta merrte Valbonën në Gjermani.

Më pas, daja i të ndjerës Valbona Ndrecaj, dëshmitari Tonin Miceli, tha se i kishte kërkuar mbesës së tij që të kthehej te Pjetri, por ajo kishte kundërshtuar.

Dëshmitari tjetër, kushëriri i Valbon Ndrecajt, Mirjan Ndou, tregoi se kishte qenë prezent kur kishin biseduar me burrat nga ana e Pjetër Ndrecajt.

Mirjan Ndou tha se natën e vrasjes kishte qenë mysafir në shtëpinë e prindërve të Valbonës dhe se kishte dëgjuar gjuajtjet, e një ndër gjuajtjet e Pjetër Ndrecaj kishin qenë edhe në drejtim të vëllezërve Kujtim dhe Shkëlzen Marku në paradhomën e shtëpisë.

Ndërsa, dëshmitari Gjon Ndrecaj tha që nusen (Valbona Ndrecajn) e kanë vra familja e saj, e jo Pjetri.

Lidhur me këtë dëshmitar, Gjykata tha që do t’i ketë parasysh deklaratat e tij të dhëna në Polici dhe Prokurori.

Ndërkaq trupi gjykues me kryetar Gëzim Pozhegu dhe anëtarët Mizair Shabani dhe Ilir Rashkaj, caktoi datat 23 dhe 24 janar për seancat e radhës.

(VIDEO)Pjetër Ndrecaj me antiplumb e zinxhirë në gjykatë

Seanca e kaluar nuk ishte mbajtur me kërkesë të Prokurorisë.

Prokurori kërkon shtyrjen e seancës ndaj Pjetër Ndrecajt

Në një seancë të mbajtur në muajin tetor, ishte kërkuar raport psikiatrik për të akuzuarin.

Kërkohet raport psikiatrik për Pjetër Ndrecajn

Në seancën fillestare, Pjetër Ndrecaj nuk e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.

Ndrecaj nuk e pranoi fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës – VIDEO

Ai ishte sjellë në Gjykatë i lidhur më zinxhirë.

Pjetër Ndrecaj sillet në Gjykatë i lidhur në duar e këmbë me zinxhirë – VIDEO

Për këtë rast ishte kërkuar përjashtimi i Gjykatës dhe Prokurorisë.

Pjetër Ndrecaj, përfundimisht do të rigjykohet në Gjykatën e Gjakovës

Ndrecaj sillet në Gjykatë i lidhur me zinxhirë në duar dhe këmbë

 

Pjetër Ndrecaj ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Ai gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018.

KALLXO.com kishte raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt, iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i gjykatës Supreme, kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

https://kallxo.com/kthehet-nga-fillimi-gjykimi-i-pjeter-ndrecajt/

Bëhet e ditur tashmë se ishte djegur shtëpia ku jetonte familja e Valbona Marku Ndrecaj.

https://kallxo.com/shtepia-e-djegur-e-valbona-ndrecaj-foto/

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.

https://kallxo.com/tragjedia-ne-gjakove-denim-me-24-vite-burgim/

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e 7 gushtit 2018.