Foto: Kallxo.com

Pishmani i gjakovarit që e fotografoi votën më 6 tetor

Në gjykatën e Gjakovës ka nisur procesi gjyqësor ndaj Enver Lukacit, i akuzuar për cenim të fshehtësisë së votimit.

Kur doli para gjykatës, Lukaci nuk e mohoi akuzën e Prokurorisë ndërsa pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, ai e pranoi fajësinë.

“E pranoj fajin, mo asnjiherë s’kam me fotografu, bile s’kam me shku as me votu”, deklaroi i akuzuari Encer Lukaci.

Gjykatësi Mentor Bajraktari tha se shpalljen e aktgjykimit do ta bëjë ditën e nesërme.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Enver Lukaci, në shkollën e mesme “Kadri Kusari” në Gjakovë, ka fotografuar fletën e votimit.

Aktakuza thotë se Lukaci ishte vërejtur nga vëzhguesit e qendrës së votimit, duke fotografuar fletëvotimin e tij me telefon.

Më herët gjatë ditës, i akuzuari Lulzim Gashi është dënuar me kusht nga gjykata e Gjakovës.

Dënimi i shqiptuar ndaj tij është 10 muaj burgim me kusht, por ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afat prej 1 viti i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Në seancën fillestare të mbajtur të premten, i akuzuari Lulzim Gashi e kishte pranuar fajin.

Prokuroria pretendon se Lulzim Gashi, në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 6 tetor, në shkollën “Isa Boletini, me telefon ka bërë fotografimin e votës.

Aktakuza shpjegon se kur anëtarët e komisionit zgjedhor e kishin vërejtur, e kishin ndaluar atë për të mos e hedhur votën në kutinë e votimit.

Më pas i akuzuari fletëvotimin e ka dëmtuar dhe shqyer dhe më pas e ka hedhur në tokë dhe pasi ka dalë nga qendra e votimit është arrestuar nga ana e policisë.