Pezullohen gjykimet në Gjykatën e Prishtinës

 

Më 7 korrik Gjykata kishte marrë vendim për reduktimin e stafit për shkak të pandemisë.

Ndërsa sot  kryetarja e Gjykatës së Prishtinës Afërdita Bytyçi, ka mbajtur takim me Trupën Menaxhuese të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e themeluar sipas Planit të Veprimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për Menaxhimin e Krizave.

Në takim u diskutua lidhur me gjendjen e fundit të krijuar në gjykatë, pas konfirmimit të disa rasteve pozitiv me virusin COVID 19.

Trupa Menaxhuese e kësaj gjykate, bazuar në rekomandimet e IKSHP-së dhe situatën e krijuar vendosi të pezullojë mbajtjen e seancave gjyqësore në Gjykatën e Prishtinës.

Mirëpo rastet e natyrës urgjente që kanë  të bëjnë me lëndët e shënjestruara për liberalizim të vizave, rastet e dhunës në familje, lëndët me paraburgim, caktimi i masave të sigurisë si dhe lëndët ku rrezikohet procedimi i tyre nga fillimi, për shkak se mund të kalojnë tre muaj nga seanca e fundit e mbajtur do të trajtohen.

Ky vendim nuk vlen për degët e Gjykatës Themelore të Prishtinës, degës në Podujevë, Graçanicës, Lipjan dhe Drenas thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Këto masa do të mbesin deri në normalizimin e situatës pandemike në Gjykatë.