Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pesë ditë afat për dhënien e fjalës përfundimtare në rastin e padisë ndaj Mimoza Kusari - Lila

Janë administruar provat materiale në seancën e sotme, në gjykatën e Gjakovës, ku Mimoza Kusari-Lila është paditur për shpifje nga Dervish Tahiri.

Në këtë rast, Tahiri po kërkon kompensim dëmi nga e paditura Kusari-Lila.

Pas leximit të provave materiale, si një ndër provat materiale është dëgjuar edhe një audio-inçizim, në të cilën dëgjohej Kusari-Lila.

I autorizuari i paditësit Dervish Tahiri, avokati Meshari Selimaj, tha se mbetet në tërësi prapa parashtrimeve të bëra në padi, si dhe kërkoi që padia të aprovohet si e bazuar.

Edhe avokati i të paditurës Kusari-Lila, Faton Qirezi ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë përgjigjes në padi.

Gjykatësi Malsor Kryeziu me Aktvendim i ka detyruar avokatët që në afat prej 5 ditësh t’ia dorëzojnë fjalën përfundimtare në formë të shkruar, kjo pasi që avokati Selimaj e ka shprehur si të nevojshme edhe përfshirjen e disa elementeve të veçanta në këtë çështje.

Prezent në gjykim ishte vetëm paditësi Tahiri bashkë me avokatin e tij si dhe avokati i Kusari – Lila, Faton Qirezi.

Sipas padisë në një mbledhje të Komunës së Gjakovës në mars të vitit 2019, e paditura Kusari-Lila i është drejtuar paditësit Tahiri me fjalët, “ku është Dervish Tahiri le të del të tregon se cilat marrëveshje i ka bërë me krejt ata pronarët për ndërtim”.

Në padi thuhet se e njëjta këto fjalë i ka thënë derisa ka qenë prezente si qytetare gjatë një debati për shpalljen me interes publik të monumentit kulturor dhe historik së kullës “Sylejman Vokshi”.

Padia thotë se e njëjta kishte ndërhyrë pa të drejtën e fjalës, duke e ngritur zërin dhe me një gjuhë shpifëse e fyese.

Sipas padisë së Dervish Tahirit, kjo gjuhë fyese është në kundërshtim me Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, me të cilën gjuhë paditësi pretendon se të njëjtit i ka shkaktuar dëm në integritetin personal e profesional të tij, pasi që 19 vite punon në administratën e Komunës së Gjakovës.

Seanca e kaluar ishte shtyrë për shkak të mungesës së avokatit Selimaj, për shkaqe shëndetësore.