Foto: KALLXO.com

Përvetësimi i 273 mijë eurove, dëshmitari: I akuzuari tërhoqi para dhe nuk i regjistroi

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi i Serbolub Dimitrijeviqit, i cili akuzohet se si kontabilist i firmës “Auto Moto Drushtvo” dhe “Auto Moto Remont” ka përvetësuar mbi 273 mijë euro.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmia e ekspertit Naser Rusinovci dhe dëshmitarit Dragisha Stefanoviq.

Eksperti Rusinovci ka thënë se  i pandehuri Dimitrijeviq e kishte udhëhequr kontabilitetin e kompanisë “Auto Moto Remont“ më vetëm një ditar, i cili ligjërisht ishte dashur të jetë ditor ndërsa ai e ka mbajtur të njëjtin edhe për disa ditë.

“Serbolub Dimitrijeviq krejt evidencën e kontabiliteti e ka udhëhequr me një ditar arke ndërsa urdhëresat për regjistrim ia ka dërguar asaj agjencisë pa dokumentacion mbështetës. Ditari i arkës është obligim ligjor që të jetë ditor. Në rastin në fjalë ditari i arkës është mbajtur edhe për 2, 3 ditë ndoshta edhe më gjatë“, tha Rusinovci.

Gjithashtu, eksperti ka thënë se i pandehuri për nevojat e veta personale kishte tërhequr para e këto tërheqje nuk i kishte regjistruar askund.

“Shpeshherë edhe për nevojat e veta ka tërhequr para të cilat nuk i ka regjistruar askund. Kjo gjithashtu vërtetohet me pazarin e regjistruar në fund të ditarit dhe atë të dorëzuar në bankë “, tha Rusinovci.

Dëshmitari ekspert ka deklaruar se ka gjetur që ka pasur tërheqje të parave “cash” nga banka, të cilat ishin konstatuar në pasqyrën financiare por të cilat nuk ishin regjistruar në arkë dhe kishte ardhur në përfundim se dëmi nuk ishte mbi 300 mijë euro.

“Kemi ardhur në përfundim pasi që evidencën e kemi konvertur në euro se kërkesa e të dëmtuarit nuk është mbi 300 mijë euro, po është 273.107,39 euro”, tha Rusinovci.

Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit Dragisha Stefanoviq.

Në deklaratën e tij Stefanoviq ka thënë se i akuzuari Dimitrieviq që nga vitit 1986 ka qenë shef i kontabilitetit.

Tutje dëshmitari ka thënë që gjendja financiare në “Auto Moto Drushtvo” dhe “Auto Moto Remont” ka qenë relativisht e mirë.

Dëshmitari ka thënë se punëtorët nuk kanë pasur vërejtje direkte në punën e të akuzuarit Dimitrijeviq, por se atyre u kishin munguar të ardhurat personale.

Dëshmitari tutje ka shtuar se i akuzuari ka pranuar se kishte pasur mungesë të mjeteve ashtu sikurse e ka konstatuar komisioni dhe ka deklaruar se do të kompensohet.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca është shtyrë.

Ajo e radhës është caktuar për më 11.12.2019.

Në seancën e radhës pritet të procedohen provat materiale dhe të merret në pyetje i akuzuari.

Ndryshe, Prokuroria e Mitrovicës akuzon Serbolub Dimitrijeviqin se nga janari 2005 deri në dhjetor 2015 në cilësinë e shefit të kontabilitetit në firmat “Auto Moto Drushtvo“ dhe “Auto Moto Remont“ në Mitrovicë, e cila është regjistruar së pari në UNMIK, e pastaj është regjistruar edhe te Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve  e Kosovës si “Auto Moto Drushtvo“ Mitrovicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka përvetësuar të hollat që i janë besuar në bazë të detyrës.

Sipas akuzës, i njëjti duke mos regjistruar të hollat në evidencat e kontabilitetit, kthimin e akontacioneve (paradhënie të punëtorëve), duke tërhequr para ‘cash” nga banka dhe të njëjtat nuk janë regjistruar fare në evidencën e kontabilitetit, duke mos dorëzuar pazarin ditor në llogarinë bankare të kompanisë, e duke mos i regjistruar në evidencat e kontabilitetit paratë e kthyera nga personat që kishin huazuar para nga kompania, ka përvetësuar të holla në shumë prej 273.107.39 euro.

Më këtë akuzohet se ka kryer veprën penale përvetësimi në detyrë.