
Përshkrimi i gabuar për numrin e lëndëve në Komerciale
Një video-material i postuar në mediumin TËVË 1 (Arkiva) më 07.04.2024 ka shpërndarë të dhëna të pavërteta sipas të cilave në “Gjykata Komerciale janë mbi 10 milionë lëndë të trashëguara”, duke dhenë edhe informacionin se “Gjykata ende s’po mund t’i trajtojë lëndët e reja”.
Publikimi shpërndan një video-material, në të cilin flet kryetari i Gjykatës, Mahir Tutuli.
Në ekzaminimin e parë të audios, verifikuesit e fakteve kanë verifikuar se Tutuli përmend 10 mijë lëndë, mirëpo në dëgjimin e parë dëgjuesit e kanë të vështirë të dallojnë nëse ai përmend shifrën 10 mijë apo 10 milionë.
Për të saktësuar informacionin, verifikuesit kanë kontaktuar me kryetarin e Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli.
Ai ka saktësuar se në intervistë ai ka thënë që janë të trashëguara 10 mijë lëndë e jo 10 milionë lëndë.
“Mundemi me konfirmu që në intervistë kam thënë që janë 10 mijë lëndë e jo 10 milionë lëndë”- tha Mahir Tutuli për Krypometër.
Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, në një intervistë për TËVË më 07.04.2024 kishte treguar për numrin e lëndëve që Gjykata Komerciale i ka trashëguar që nga themelimi i saj.
Sipas kryetarit të Gjykatës, më themelimin e Komerciales, kishin menduar që diku kjo Gjykatë do të pranonte 3 mijë lëndë por që numri ka ndryshuar kur ka filluar procedimi i tyre deri në 10 mijë lëndë.
“Në Gjykatën Komerciale për shkak të zgjerimit të juridiksionit kanë ardhë lëndë nga të gjitha gjykatat, madje numri i supozuar fillimisht ka qenë që diku do t’i kemi rreth 3 mijë lëndë të trashëguara nga e kaluara, por kur ka fillu procesi i bartjes së lëndëve jemi befasu të gjithë sepse numri i është afru shifrës prej 10 mijë lëndëve” – thotë Mahir Tutuli në intervistën për TËVË1.
Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, tutje elaboron numrin e saktë të lëndëve të trashëguara dhe të pranuara ndërkohë.
Sipas tij në intervistën e dhënë, 6,621 lëndë janë pranuar në momentin e themelimit të Gjykatës Komerciale.
“Numri i lëndëve në momentin e themelimit ka qenë 6,621 lëndë dhe në periudhën pasuese janë pranu 2,898. Në dhomën e shkallës së dytë janë pranuar 907 lëndë”- thotë tutje në intervistë Tutuli.
Këtë statistikë të lëndëve e mbështet edhe Raporti i Progresit i vitit 2023, i cili tregon se Gjykatës Komerciale – shkallës së parë, në vitin 2022 i ishin transferuar 6,754 lëndë.
“Në korrik të vitit 2022, 6,754 lëndë u transferuan në dhomat e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale dhe 1,342 lëndë në dhomën e shkallës së dytë”- thuhet në faqen 21 të Raportit të Progresit.
Gjykata Komerciale u themelua me qëllim të trajtimit më të shpejtë të lëndëve komerciale.
Gjykata është shpallur në mesin e gjykatave më transparente në vend ndërsa kompetencat dhe natyra e lëndëve që kjo Gjykatë i gjykon janë lehtë të verifikueshme për qytetarët. Bashkë me kompetencat në faqen e kësaj Gjykate qytetarët mund të lexojnë aktgjykimet dhe raportet mbi lëndët.