Përplasje mes mbrojtjes dhe prokurores në gjykimin për vrasjen që dyshohet se u krye me pagesë

Me tensione është përshkuar procesi gjyqësor për rastin ku Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj, Gjon Pnishi, po akuzohen lidhur me vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Prokuroria e Pejës po pretendon se kjo vrasje është kryer me pagesë.

Mospajtimet janë shfaqur mes avokatëve e të akuzuarve në njërën anë dhe në anën tjetër prokurores së rastit, Valbona Disha-Haxhosaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Raja, avokati Sylë Lokaj, tha se aktakuza e Prokurorisë se Pejës është e bazuar në dëshminë joligjore të dëshmitarit bashkëpunues D1.

Sipas avokatit Lokaj, dëshmitari bashkëpunues D1 është dashur të jetë i bashkakuzuar e jo që ndaj tij të pushoheshin hetimet për këtë rast.

“Ky veprim i Gjykatës apo Prokurorisë është i paprecedent, por kjo sipas bindjes së mbrojtjes është bërë në mungesë të provave tjera është krijuar një dëshmitar i rrejshëm”, tha Lokaj.

Këtë deklarim të avokatit e kundërshtoi prokurorja e cila tha se ky rast ka kaluar në Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme dhe asnjëherë nuk është kontestuar ligjshmëria e dëshmisë së D1.

Prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj tha se ky deklarim i avokatit po bëhet me qëllim që të bjerë në veshin e publikut.

Ajo po ashtu e ftoi avokatin që të paraqesë kallëzim penal nëse ka prova për deklarimin e tij, e po ashtu la të hapur mundësinë për parashtrimin e padisë për shpifje ndaj avokatit.

Avokati Lokaj tutje në fjalën hyrëse tha se motivi i dëshmitarit bashkëpunues sipas tij për të gënjyer, qëndron në qëllimin e përfitimit material në raport me klientin e tij, me saktësisht shantazhi përmes të cilit ka kërkuar haraç nga Bekim Raja e familjarët e tij.

Po ashtu Lokaj tha se motivi i dëshmitarit në fjalë qëndron edhe në benifitet, me saktësisht pushimin e hetimeve ndaj tij, për këtë rast penal.

Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Avni Sinanaj, avokatja Kosovare Kelmendi, në fjalën hyrëse tha se në këtë rast penal është bërë ndryshimi i aktakuzës në veçanti me të mbrojturin e saj, ku sipas saj Prokuroria ka bërë ndryshim substancial të gjendjes faktike në raport me klientin e saj.

Andaj avokatja ftoi Prokurorinë të ofrojë prova të reja për të mbështetur këtë ndryshim faktik që sipas saj nuk ka ekzistuar asnjëherë më parë.

Avokatja Kelmendi kërkoi lirimin e të mbrojturit të saj nga paraburgimi, duke u thirrur në atë se Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi pas marrjes nga Gjykata të vendimit për refuzimin e pranimit të fajësisë për Pnishin, ajo tha se në këtë situatë klienti i saj dhe Pnishi janë në pozicion të barabartë, pasi edhe akuzohen për të njëjtën vepër penale.

“A është e drejtë që për të siguruar prezencën fizike në role të njëjta sipas aktakuzës, njëri të qëndrojë në liri të plotë e njëri në paraburgim”, tha Kelmendi.

Prokurorja e kundërshtoi këtë propozim të avokates pasi, sipas saj, Pnishi e ka vuajtur dënimin e shqiptuar, ndërsa tha se edhe pse rasti është në rigjykim, ekzistojnë kushtet që i pandehuri Avni Sinanaj të qëndrojë në paraburgim.

Gjatë këtij propozimi reagime pati nga vëllai i të ndjerit, Pashk Gjini, i cila tha se ndihet i kërcënuar nëse lirohen nga paraburgimi të akuzuarit, duke shtuar se ka pasur edhe atentat për vrasje nga ana e tyre.

“Nuk kisha pas çejf me u pa me ta sepse kam pasur edhe unë një atentat për vrasje prej tyre se me dikë tjetër s’kam telashe”, tha Gjini.

Prokurorja reagoi ndaj deklarimit të Gjinit, duke thënë se ky rasti i atentatit është i hapur ndaj NN personave, duke aluduar në persona të panjohur ende për Prokurorinë.

“Sipas palës së dëmtuar dhe Prokurorisë atëherë ju i nderuar gjykatës duhet të më jepni dënim të përjetshëm sepse krejt Kosova po u ndijka i rrezikuar prej meje”, reagoi i akuzuari Avni Sinanaj.

Mbrojtësi i Gjon Pnishit, avokati Ndrecë Dodaj, tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar, meqenëse tash kemi vetëm përmirësim të aktakuzës.

Ndërsa mbrojtësi i Murat Sinanajt, avokati Gëzim Kollqaku, në fjalën hyrëse tha se nga dëgjimi apo leximi i deklaratave të 16 dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria do të vërtetohet se ata për asnjë moment nuk e implikojnë klientin e tij.

Kollqaku tha se as dëshmia e dëshmitarit D1 nuk e përmend asnjëherë të mbrojturin e tij.

“Nëse Prokuroria i ka pushu hetimet ndaj D1 që ka konsideruar që në tërësi e ka folur të vërtetën atëherë i mbrojturi im assesi nuk është dashtë të jetë këtu ku është në bankën e të akuzuarit”, tha Kollqaku.

Ndërsa prokurorja tha se ajo dhe Prokuroria e zbaton ligjin, e ligji parasheh benefite për dëshmitarët bashkëpunues e jo Prokuroria.

“Unë dhe institucioni ku unë punoj nuk shpërblejmë askënd por vetëm zbatojmë ligjin”, tha prokurorja.

Ndërsa përplasjet vazhduan mes të akuzuarit Avni Sinanaj dhe prokurores së rastit.

Avni Sinanaj tha se para se t’i ngritet aktakuza prokurorja përmes avokates së tij e ka ftuar që të bashkëpunojë më të, duke shtuar se nëse prokurorja mendon që 5 vite se ai është fajtor atëherë pse ka kërkuar bashkëpunim me të.

“’Nëse bashkëpunon me mua unë ta çel derën nesër’ i ka thënë mbrojtëses sime”, tha Sinanaj.

Prokurorja reagoi përsëri duke thënë se bashkëpunimi që i është ofruar Gjon Pnishit i është ofruar edhe Avni Sinanajt, pra bashkëpunimi për dëshmitar bashkëpunues ashtu siç e parasheh ligji.

Pastaj Sinanaj tha se po për këtë lloj bashkëpunim ka qenë fjala porse ai nuk e kupton nëse akuza është e bazuar pse duhet të bashkëpunojë ai me Prokurorinë.

Seanca u ndërpre nga gjyqtari pasi në përfundim të gjykimit i akuzuari Bekim Raja dhe prokurorja e rastit filluan te bisedojnë mes vete, e trupi gjykues e konsideroi se situata është acaruar dhe nuk ka mundësi që gjykimi të vazhdojë.

Gjyqtari Sami Sharraxhiu i tërhoqi vërejtjen të dy palëve duke shtuar se kjo sjellje nuk do të tolerohet më.

Seanca e radhës vazhdon më 4 nëntor.

KALLXO.com sot gjatë ditës ka raportuar nga zhvillimi i kësaj seance.

Bekim Raja në këtë rast penal po akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë. Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi sipas Prokurorisë duke vepruar si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë dhe Murat Sinanaj akuzohet për vrasje të rëndë të Ferdinand Gjinit.

Katër të akuzuarit ishin dënuar me gjithsej 49 vjet burgim nga gjykata e shkallës së parë, e pastaj ky vendim ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë.

Por rasti është kthyer në rigjykim me vendim të Gjykatës Supreme.