Pallati i Drejtësisë - FOTO: Fatrion Ibrahimi / KALLXO.com

Përparësitë dhe mangësitë e ndryshimeve të pakos së ligjeve për trashëgiminë

 Kur kanë kaluar dy vite nga miratimi i pakos ligjore që rregullon të drejtën e trashëgimisë në Kosovë, përkundër që vlerësohen pozitive shumë nga ndryshimet e sjella, ka edhe shqetësime për disa prej çështjeve që janë rregulluar me këtë pako.

Përderisa me Ligjin e ri të Noterisë është qartësuar kompetenca e noterëve për trajtimin e rasteve të trashëgimisë ku nuk ka kontest, disa vlerësojnë se ndryshimet e Ligjit për Procedurën Jo-kontestimore e kanë rënduar procedurën dhe po i ngarkojnë noterët dhe palët më shumë se ç ‘duhet.

Njëri nga noterët që zbaton këto ndryshime ligjore vlerëson se në veçanti një ndryshim i Ligjit për Procedurën Jo-Kontestimore ka krijuar kosto të panevojshme kohore.

 Noteri nga Ferizaj,  Selatin Shahini po pretendon se neni 161 i Ligjit për Procedurën Jo-kontestimore po shkakton vonesa në trajtimin e lëndëve.

Ligji për procedurën jokontestimore, neni 161, par.1, përcakton se në qoftë se gjykata nuk ka dijeni se a ka trashëgimlënësi trashëgimtar, gjykata me anë të shpalljes publike do t’i thërrasë personat që kanë të drejtë për trashëgim që t’i paraqiten gjykatës brenda afatit prej gjashtë muajsh nga dita e publikimit të shpalljes në “Gazetën Zyrtare të Kosovës. Kurse në par.3 të këtij neni është paraparë që : Njoftimi nga paragrafi 1. i këtij neni duhet të jetë i hapur së paku për tridhjetë (30) ditë.

Kjo dispozitë ligjore po shihet e pa nevojshme dhe e kushtueshme  në kohë nga noteri Selatin Shahini dhe për më tepër po vlerësohet se nuk po sjell rezultate.

“Është me rëndësi të theksohet se që nga fillimi i sistemit noterial në Republikën e Kosovës, nuk kemi pasur asnjë ankesë të ndonjë rëndësie serioze sa i përket shqyrtimit të procedurave trashëgimore dhe lirisht mund të themi se suksesi më i madh i këtij sistemi është pikërisht procedura Trashëgimore, e cila për shkak të shkurtimit të kostos kohore dhe efikasitetit ka shtyrë çdo qytetar që pa përtesë ta shqyrtoj trashëgiminë, kur dihet se më parë kjo procedurë ka zgjatur ndoshta edhe me vite”, ka deklaruar noteri Selatin Shahini.

Noteri Shahini ka deklaruar se sipas tij nuk ka vend për ndryshim të ligji për trashëgiminë, por qe e ka parë si shumë të nevojshëm dhe të natyrës urgjente, ndryshimin e ligjit për procedurën jo kontestimore.

“Sa i përket  gazetës  zyrtare  dhe  portalit  shtetëror  është një humbje kohe se  siç  dihet tek ne  e  sidomos  bashkatdhetarët  tonë mbi 90 % fare nuk e  lexojnë  gazetën  zyrtare e  as  portalin shtetëror, kjo është  vetëm një  burokraci  e panevojshme,  vetëm  duhet të shtrëngohet  zyra  e  gjendjes   civile ku lëshohet dëshmia  e vdekjes dhe e gjitha rregullohet”, ka thënë për KALLXO.com noteri Selatin Shahini.

Po kaq urgjente sa ndryshimi i Ligjit për Procedurën Jo-kontestimore, noteri Shahini e vlerëson edhe shtimin e mbikëqyrjes në Zyrën e Gjendjes Civile.

Noteri vazhdon të ketë  shqetësimin e tij sa i përket fshehjes  dhe manipulimit të trashëgimtarëve.

“Sikur  zyra e  gjendjes  civile  të verifikon me saktë dhe mos të lëshon  dëshmi vdekjeje pa i përfshirë të  gjithë trashëgimtarët, ne në praktikë më nuk kishim pas asnjë problem. Ne si noter  edhe pse ligji  e lejon ende nuk kemi qasje në zyrën e gjendjes  civile me  qëllim  që  me pa  trungun familjar në mënyrë  të verifikimit  se  mos  është  fshehur  ndonjë trashëgimtar dhe besoi se  me këtë   qasje ish kriju siguria juridike, por po me duket  që në ato zyre po i konvenon dikujt kjo situatë”, është shprehur Shahini.

Qysh në vitin 2016 BIRN-i përmes një raporti për të drejtat pronësore të grave, kishte rekomanduar që noterëve dhe gjyqtarëve t’u mundësohet qasje direkte në regjistrat e ARC-së.

BIRN ka rekomanduar që të hyjë në funksion baza elektronike e të dhënave me ç ‘rast dëshmia mbi vdekjen dhe përcaktimi i trashëgimtarëve në fillim të procesit të ndarjes së trashëgimit të mos varet nga deklaratat (që potencialisht mund të rezultojnë të rrejshme) të inicuesve të procedurave, por të jenë automatike e me mundësi ndryshimi gjatë procesit apo në fund të tij në rast të nevojës.

Nevoja për qasje në këta regjistra erdhi pasi që noterët dhe gjykatësit kishin treguar se gjatë përpilimit të aktvdekjes burrat tentojnë t’i fshehin gratë si trashëgimtare në mënyrë që atyre t’u jepet e drejta automatike në trashëgimi.

Të dhënat e siguruara kanë treguar se ky veprim edhe pse është kundërligjor dhe i sanksionuar me Kodin Penal vazhdon të jetë prezent.

Por ndonëse pas nënshkrimit të marrëveshjes për shkëmbimin e të dhënave në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Odës së Noterëve të Kosovës, edhe pas më shumë se tre viteve që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje noterëve ënde nuk u është mundësuar qasja në këto të dhëna.

Noterët për KALLXO.com kanë deklaruar se si pasojë e kërkesës shtesë që identifikimi i palëve të bëhet edhe përmes certifikatës së gjendjes civile, sot e kësaj dite atyre po u bëhet e pamundur që të kenë qasje në këtë aplikacion për gjenerimin e të dhënave.

Vet ligji për noterinë, më saktësisht Neni 2 përcakton qasjen e noterit në bazat e të dhënave elektronike të organeve publike.

Sipas po këtij neni, noteri si zyrtar publik me qëllim të sigurimit të shërbimeve noteriale ka të drejtë që të ketë qasje në të gjithë regjistrat elektronik të organeve publike.

Ky ligj më tej parasheh se organi shtetëror kompetent sipas kërkesës së Odës së Noterëve të Kosovës është i obliguar që në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e parashtrimit të kërkesës të krijojnë qasje elektronike të gjitha zyrave noteriale, si dhe shpenzimet në lidhje me krijimin e qasjes në të dhënat elektronike publike mbulohen nga Oda.

Përpos shqetësimit të ngritur nga noteri Shahini, një profesor universitar i Juridikut po e vlerëson si problematike edhe interpretimin e disipozitave ligjore që rregullojnë të drejtën familjare dhe trashëgimore.

“Fatkeqësisht kemi problem shumë të madh me interpretimin e dispozitave ligjore në Kosovë në përgjithësi dhe sidomos në fushën e të drejtës familjare dhe trashëgimore. Nga e drejta familjare dhe mos definimi i të drejtës së pronësisë brenda familjes, se çka përbën pasuri të përbashkët e çka pasuri të veçantë dhe këto probleme barten pastaj edhe në të drejtën trashëgimore”, ka thënë Bahtiri.

Me rëndësi të madhe profesori Bahtiri e ka konsideruar edhe përditësimin e regjistrave të paluajtshmërive, pasi që sipas profesorit, ka raste të shumta që me dekada të tëra është bërë blerja e pronës, por që nuk është bërë edhe bartja e të drejtës së pronësisë.

“Ligji kërkon plotësimin e dy kushteve kumulative, e që janë puna juridike (kontrata) dhe regjistrimi në regjistrin e paluajtshmërive. Kjo shpeshherë përbën problem shumë të madh edhe në fushën e trashëgimisë”, ka shtuar Bahtiri.

Ndonëse profesori ka deklaruar se sipas mendimit të tij ligji për trashëgiminë përgjithësisht është i mirë dhe në pajtim me standardet më të avancuara ndërkombëtare, sipas tij megjithatë ka nevojë të rishikohen disa pjesë e sidomos çështja për sa i takon pamundësisë për të trashëguar në radhën e dytë të trashëgimisë kur trashëgimlënësi ka lënë bashkëshortin/bashkëshorten.

“Kjo nënkupton ndryshimin në kuptim të trashëgimisë në gjithë masën trashëgimore të njërit bashkëshort nga ana e bashkëshortit tjetër kur nuk ka pasardhës dhe të mos kalohet në radhën e dytë të trashëgimisë ligjore. Trendët ndërkombëtare shkojnë në favor të zvogëlimit gjithnjë e më të madh të radhëve ligjore të trashëgimisë. Gjithashtu Ligji ynë për trashëgiminë duhet të specifikoj se heqja dorë nga trashëgimia mund të bëhet vetëm personalisht dhe jo sipas autorizimit dhe atë vetëm para organit kompetent gjykatës/noterit para të cilit shqyrtohet dhe vendoset ndarja e trashëgimisë”, është shprehur Bahtiri.

Avokati nga Prishtina Adem Vokshi është shprehur i kënaqur me zhvillimin e procedurave të trashëgimisë në rastet jo kontestimore/tek noterët, ndërsa për rastet që janë në kontest gjyqësor ka thënë se janë duke u zhvilluar shumë ngadalë.

Sa i përket interpretimit të normave juridike të normave juridike të rasteve nga kontestet familjare e që kanë të bëjnë me zgjidhjen e trashëgimisë, avokati ka thënë se është i kënaqur me interpretimin e tyre.

Në anën tjetër ai ka deklaruar se ka nevojë për ndryshimin e ca dispozitave të ligjit për trashëgiminë por që sipas tij, këto ndryshime duhet bërë pas shtjellimit të hollësishëm të kësaj lëmie nga ana e grupit të ekspertëve e jo siç thotë avokati se janë bërë herën e fundit, vetëm ndryshim e kozmetike, për shkak se ka konsideruar se një gjë e tillë do të ketë pasoja afatgjate në raportet e qytetarëve.