Foto: KALLXO.com

Përmbaruesja private dhe dy biznesmenë ndihen të pafajshëm

Përmbaruesja private Rrezarta Metaj dhe biznesmenët Muharrem Ahmeti dhe Ardian Maloku janë deklaruar të pafajshëm në Gjykatën e Prishtinës për akuzat që u vihen në barrë: keqpërdorim i detyrës zyrtare, legalizim i përmbajtjes së rrejshme dhe mashtrim.

Në bazë të aktakuzës, e pandehura Rrezarta Metaj, në cilësinë e personit zyrtar – përmbaruese private, ka keqpërdorur pozitën zyrtare në atë mënyrë që duke mos respektuar procedurën përmbarimore dhe duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e saj ka synuar që vetes dhe të pandehurit Muharrem Ahmetit, pronar i kompanisë NTP “Tricom”, t’i sjellë përfitime pasurore të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, e pandehura ka nxjerrë urdhrin përmbarues të mbështetur në dokumente me përmbajtje të pavërtetë.

Përmes këtij urdhri përmbarimor ajo pretendohet se ka kërkuar realizimin e borxhit që kinse e dëmtuara Dogana e Kosovës ka ndaj kompanisë NTP “Tricom”.

Vlera e paraqitur e borxhit është 769,691.16 euro për një vit, me kamatë ligjore prej 8% kinse për ruajtjen e derivateve të naftës.

Këtë propozim për urdhër përmbarimor e pandehura Rrezarta Metaj e kishte përpiluar duke mos respektuar procedurën përmbarimore e duke mos e bërë krahasimin e dokumentacioneve të paraqitura nga i pandehuri Muharrem Ahmeti, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria akuzon Rrezarta Metajn së bashku me Muharrem Ahmetin dhe Ardian Malokun edhe për veprën penale – legalizim të përmbajtjes së pavërtetë.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Muharrem Ahmeti ka përpiluar dhe prezantuar dokumente me përmbajtje të pavërtetë dhe në bashkëveprim me përmbaruesen private Rrezarta Metaj kanë kërkuar nga Dogana e Kosovës kompensimin kinse për ruajtjen e derivateve të naftës për të cilën i pandehuri Muharrem Ahmeti nuk kishte asnjëherë kontratë valide me Doganën e Kosovës.

Muharrem Ahmetit dhe Ardian Malokut Prokuroria u vë në barrë edhe veprën penale të mashtrimit.

Sipas aktakuzës, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm kanë mbushur me ujë rezervuarët të cilat gjenden në rrugën Prishtinë-Ferizaj, në Llapnasellë.

Këta rezervuarë i kishte marrë në shfrytëzim i pandehuri Muharrem Ahmeti prej kompanisë “Racional Comerc” me qëllim të prezantimit të provave të rrejshme për t’i paraqitur para Gjykatës së Prishtinës.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë rast.

Tre të arrestuar, dy biznesmenë dhe një përmbaruese private

www.kallxo.com