Foto: Kallxo.com

Përleshja me thikë e “shrafciger” te stacioni i autobusëve në Gjilan, dëshmitari tregon detajet e incidentit

Ilaz Cakolli dhe Egzon Azemi kanë dalë sot para gjykatës në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë e cila ua vë në barrë veprën penale të vrasjes në tentativë.

Në këtë rast ishin të akuzuar edhe Endrit Azemi, Erdonit Azemi, Elod Sahiti, Flamur Krasniqi dhe Blerim Kurteshi por në seancën e fundit ata e kishin pranuar fajësinë dhe ndaj tyre ishte veçuar procedura.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit Ilaz Cakolli dhe Egzon Azemi, ne muajin nëntor të vitit 2018, në stacionin e autobusëve në Gjilan pas një mosmarrëveshje e kanë goditur me mjete të forta të dëmtuarin Mërgim Bllaca. Sipas aktakuzës, i akuzuari Ilaz Cakolli e kishte goditur viktimën dy herë me thikë në bel dhe shpinë, kurse i akuzuari Egzon Azemi e kishte goditur gjithashtu me kaçavidë dy herë në pjesën e përparme të gjoksit.

Tutje sipas aktakuzës të akuzuarit Endrit Azemi, Erdonit Azemi, Elod Sahiti, Flamur Krasniqi dhe Blerim Kurteshi, të njëjtën ditë dhe të njëjtin vend i kanë sulmuar të dëmtuarit Faton Shaqiri, Edon Haliti, Edonis Shaqiri, Mërgim Bllaca dhe Riad Veseli, duke përdorur forcën dhe duke i goditur me shqelma dhe grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

Në seancën e sotme u dëgjuan dy dëshmitarët Uran Kurteshi dhe Rion Kurteshi të cilët ishin në vendin e ngjarjes.

Dëshmitari Uran Kurteshi tha të ketë dhënë deklaratë në Polici dhe në Prokurori dhe se i qëndron prapa atyre deklaratave.

“Kur ka ndodhur rasti unë kam qenë në qytet dhe kam shkuar te stacioni i autobusëve duke shku në shtëpi. Ndriçimi në vendin e ngjarjes ka qenë i dobësuar dhe nuk e kam parë mirë ngjarjen. Egzon Cakollit nuk i kam parë asgjë në dorë. Nuk e kam parë se kush kënd e ka lënduar në ditën kritike. Njolla gjaku kam parë te njëri nga personat që kanë qenë në atë tollovinë aty por nuk e di se kush ka qenë ai personi i lënduar”, tha dëshmitari Kurteshi.

Kurse dëshmitari Rion Kurteshi tha se kishte mbërritur në vendin e ngjarjes 5 minuta pasi që kishte ndodhur incidenti.

“Aty e kam pa Mërgim Bllacen me gjak, aty ka pasur shumë persona por unë nuk i njoh. Ilaz Cakollin nuk e njoh as nuk e kam parë në vendin e ngjarjes. Elod Sahitin e kam parë me shtrafsiger në dorë. Egzon Azemin nuk e kam parë duke u rrahur me askënd. Në Prokurori kam dhënë deklaratë dhe aty askush nuk më ka bërë presion”, tha dëshmitari Rion Kurteshi.

Kryetari i trupi gjykues Zyhdi Haziri e ballafaqoi dëshmitarin me një deklaratë në Prokurori, kurse Rion Kurteshi tha se nuk e ka thënë atë që është e shkruar në Prokurori.

“Nënshkrimi është i imi aty, por atë që e paskan shkru në atë deklaratë nuk është ashtu. Unë nuk kam thënë se Ilaz Cakolli e ka therë me thikë të dëmtuarin Mërgim Bllaca”, tha dëshmitari Rion Kurteshi.

Për shkak të një takimi zyrtar në Prishtinë të anëtarit të trupit gjykues Islam Thaqi, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar me daten 16 prill.