Enver Sekiraça

Përjashtohet përsëri publiku në gjykimin e Enver Sekiraqës

Është përjashtuar përsëri publiku në gjykimin e Enver Sekiraqës i cili po akuzohet për nxitjen e vrasjes së ish policit Triumf Riza.

Përjashtimi i publikut u bë me kërkesën e një dëshmitari i cili ka kërkuar që dëshminë e tij ta jap pa prezencën e të tjerëve në sallë.

Për kërkesën e bërë nga dëshmitari, gjykatën e njoftoi prokurori special Haki Geci. Ai tha se dëshmitari dëshiron të dëgjohet pa praninë e publikut.

“Në ditën e premte në zyrën time në prokurorinë speciale, është paraqitur një dëshmitar i cili duhet të dëgjohet në këtë shqyrtim gjyqësor, por që ka kërkuar që dëshminë ta jap pa praninë e publikut, duke u arsyetuar me shkaqe personale dhe familjare”, tha prokurori Gecaj.

Të njëjtën kërkesë e mbështeti edhe mbrojtja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Agim Kuçi, e aprovoi kërkesën e prokurorit dhe vendosi që seanca të vazhdojë pa praninë e publikut gjatë dëgjimit të dëshmitarit.

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij porse ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe se Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vetë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë.

Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekur edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumf Rizës Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, mbyllet seanca për publikun me kërkesën e dëshmitarit Faton Shoshi