Donjeta Pajazitaj - Foto: Facebook

Përjashtohet Peja, gjykimi i vrasjes të Donjeta Pajazitaj vazhdon në Ferizaj

Pasi mori dy vendime të ndryshme në lidhje me rastin, Gjykata e Pejës pritet të mos jetë më vendi ku do të gjykohet Naser Pajazitaj, i akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Gjykata e Apelit ka vendosur qe kjo çështje penale të gjykohet tash tutje në Gjykatë Themelore të Ferizajit.

Gjykata e Pejës kishte bërë kërkesë për përjashtim nga gjykimi në këtë rast.

Një kërkesë e tillë i është drejtuar Gjykatës së Apelit, pasi Gjykata Supreme e Kosovës ka prishur vendimin e Gjykatës se Pejës që kishte dënuar Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, duke kthyer kështu çështjen në rigjykim.

“Kërkesa për përjashtim e gjykatës është paraqitur pasi qe është aprovuar kërkesa e mbrojtësit së të akuzuarit Pajazitaj për përjashtimin e gjyqtares Lumturie Muhaxheri, të cilës i ishte ndarë rasti pasi ishte kthyer lënda në rigjykim nga Gjykata Supreme, dhe meqenëse nuk ka gjyqtarë tjerë në Departamentit për Krime të Rënda që nuk kanë marrë pjesë në gjykimin e kësaj lënde paraprakisht” kishte thënë zyrtarja për informim e Gjykatës se Pejës.

Naser Pajazitaj akuzohet se e kishte marrë Donjeta Pajazitajn me veturë përderisa ajo ishte duke shkuar në punë dhe e kishte dërguar te vendi “Kroi i Lajthisë”, ku më pas e kishte vrarë me dy plumba në kokë.

Ishte data 9 nëntor 2015 kur 24 vjeçarja Donjeta Pajazitaj për herë të fundit ishte nisur për në punë.

Vrasja e Donjeta Pajazitaj është gjykuar dy herë nga Gjykata e Pejës.

Kjo çështje fillimisht ishte gjykuar nga trupi gjykues me kryetar Sylë Lokaj, ku Pajazitaj ishte liruar nga akuza.

Me rastin e kthimit në rigjykim nga Gjykata e Apelit, trupi gjykues me kryetar Kreshnik Radoniqi kishte shpallur fajtor Naser Pajazitaj duke e dënuar me burgim të përjetshëm.

Ky aktgjykim i Themelores, më pas ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë, përkatësisht Gjykata e Apelit.

Por, në dhjetor të vitit 2019, Gjykata Supreme ka konstatuar se të dy aktgjykimet kane qene të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

“Në rigjykim të caktohet ekspert i lëmisë të telekomunikacionit i cili do te jep sqarime të plota dhe të hollësishme përkitazi me faktin se cilin territor e mbulon antena e Zllapekut dhe cilin territor e mbulon antena e Strellcit dhe po ashtu cila nga këto antena mbulon pjesën ku është gjetur tani viktima përkatësisht “Bjeshkët e Strellcit” me konkretisht “Kroni i Lajthisë” ” thuhet në aktvendim të Gjykatës Supreme.