Përgjimet ku përmenden informacionet e AKI-së do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme të komisionit

Pretendime se Prokurorja e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsie Asllani po përdor pozitën e saj për të ushtruar ndikim në zgjidhjen e një lënde të një personi, informacione të dala nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës se kush po hetohet nga krerët e lartë të institucioneve të drejtësisë janë publikuar ditëve të fundit nga media online “Shqip”.

Këto biseda pretendohen se janë përgjime që kanë ndodhur vitin e kaluar mes disa krerëve të institucioneve në Kosovë dhe personave të ndryshëm deri sa flitet për raste të ndryshme dhe ndikim në këto raste.

Madje në këto incizime përmendet edhe se çka janë duke hetuar Agjencioni Kosovar i Intelegjencës, (AKI) e edhe se si në një rast prokurorja e krimeve të rënda Shemsie Asllani ka telefonuar AKI-në për t’u interesuar për personin me të cilin flet në përgjimet e publikuara.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendëskryetarin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Sali Zyba i cili tha se në mbledhjen e radhës çështja e informacioneve të institucionit më të lartë në Kosovë do të diskutohet me prioritet.

“Publikimet e përgjimeve që ju po pyetni, do të jenë obligim për diskutim edhe ne si Komision për Mbikëqyrjen e AKI-së, do ta diskutojmë në mbledhjen e radhës kurdo që do të mbahet”, tha Zyba për KALLXO.com.

Ai shton se pavarësisht vërtetësisë së këtyre audio- incizimeve opinioni ka të drejtë të kërkojë sqarime.

“Sa i përket komenteve dhe përmbajtjes apo vërtetësisë së tyre, do të kemi mundësi ta sqarojmë pas asaj mbledhje sepse konsideroj që opinioni e sidomos mediat kanë të drejtë të kërkojnë sqarime”, tha tutje Zyba për KALLXO.com.

Në bisedën telefonike e cila pretendohet që është përgjim i cili ka ndodhur me prokuroren e krimeve të rënda Shemsie Asllani dhe një personi tjetër përmenden edhe se Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi së bashku me AKI-në kanë bërë që personi i cili bisedon me prokuroren të ketë probleme rreth një veture që ishte ndaluar.

Brenda raportimit të “Shqip” përmendet edhe një ndërhyrje e prokurores Asllani në AKI.

Këtë ndërhyrje Asllani pretendohet se e ka përmendur deri sa kishte treguar se interesimi i saj për lëndën e personit me të cilin flet mund të jetë shkelje e kodit të etikës, ushtrim ndikimi, shkelje të integritetit.

Pasi i rikthehen temës së problemit ligjor që kishte personi i cili bisedon me prokuroren Asllani, kjo e fundit i tregon se menjëherë ishte interesuar për të edhe në AKI.

“Menihere për në AKI kur më tha X (emër i njohur për redaksinë) për me fol, unë fola në AKI. I kam miqtë, i kam njerëzit që më ruajnë”, tregon ajo të jetë interesuar për rastin e këtij personi edhe në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Për të gjitha këto pretendime të audi-incizimeve të publikuara në median online “Shqip” KALLXO.com ka tentuar të marr një qëndrim nga ana e prokurores Asllani, Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezit por të njëjtit kanë qenë të pa qasshëm përmes telefonit.

Dyshime të forta për keqpërdorime dhe afera korruptive në Prokurorinë e shtetit u bën publike përmes përgjimeve ditëve të fundit.

Media online “Shqip.com” bëri publike disa përgjime në të cilat e involvuar është prokurorja e krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsie Asllani.

Brenda këtyre përgjimeve përmenden emra të lartë të sistemit të drejtësisë duke përfshirë edhe udhëheqës të lartë të këtij institucioni si dhe anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Përgjimet shfaqën prokuroren Shemsie Asllani duke folur për ushtrim të ndikimit në zyrtarë të tjerë duke përfshirë edhe zyrtarë në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë “AKI”.

Madje prokurorja e Krimeve të Rënda dëgjohet duke folur edhe për ndihmën që ia ka dhënë një personi për t`u bërë gjyqtar në vendin tonë.

“Dikush lypke me i ndihmu për me u bo gjyqtar edhe kish reputacion edhe më tha më duhet ndihma juaj edhe i thash po kam me të ndihmu se është zyrtar i imi, bashkëpunëtor. Kur i ndihmova edhe a din, i ndihmova maksimal. Edhe masi e kuptoj tha unë kom lexu e diçka, edhe më fal në shprehje ma rrotulloj barkun edhe i thashë për që ke lexu, krejt në rregull unë e di që je djalë i lexueshëm edhe për qata kom dashtë me të ndihmu, po ai leximi yt gjatë gjithë jetës, në profesionalizëm ke me e tregu vetën”, dëgjohet duke biseduar prokurorja Asllani.

Rreth këtyre përgjimeve ka reaguar zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Sallahu ka reaguar pasi ndaj këtyre publikimeve nuk ka pasur asnjë nismë nga sistemi i drejtësisë që nga dita e djeshme.

Sipas Sallahut, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kenë edhe integritet moral por edhe profesional dhe çfarëdo veprimi që cenon integritetin duhet të ndëshkohet.

Sipas tij “vetingu në sistemin e drejtësisë nuk ka alternativë”.

“Në vendin tonë kemi parë më herët afera si ajo ‘’Pronto’’ që ka qenë ndër skandalet më të mëdha në Kosovën e pasluftës me ç’rast kemi parë ndikimin e madh të pushtetit veçanërisht në sistemin e drejtësisë.  Çdo ditë e më shumë po dëshmohet se vetingu në sistemin e drejtësisë nuk ka alternativë. Vetëm përmes vetingut ne mund të sigurojmë që brenda sistemit të drejtësisë do të ketë vetëm njerëz që i binden ligjit dhe jo ndikimeve e as shantazheve a kërcënimeve. Ne i bëjmë thirrje këshillave përkatës të mos qëndrojnë të heshtur por të ndërmarrin veprime në përputhje me kompetencat”, ka shkruar Sallahu.

Përgjimi – pjesa e parë – LINK