Përgjigjja e Prokurorisë Speciale ndaj kërkesës së avokatit të Thaçit, për lirimin e tij

 

Prokuroria Speciale në Hagë i është përgjigjur negativisht kërkesës së avokatit mbrojtës të Hashim Thaçit, për lirimin e këtij të fundit nga paraburgimi.

“Apeli duhet të refuzojë në tërësi, kërkesën e Thaçit”, theksohet në përgjigjen e Prokurorisë.

“Përballë një numri të madh provash që demonstrojnë rreziqet e paraqitura nga i akuzuari, mbrojtja thjeshtë përsërit argumentet e mëparshme copa-copa dhe jo bindëse, duke mos demonstruar ndonjë gabim të dukshëm në gjetjet e saj”, theksohet në përgjigje.

Në përgjigje po ashtu thuhet se, ekzistojnë prova domethënëse se në kohën kur Thaçi ishte President i Kosovës, Qeveria e Kosovës u ofroi përfitime disa personave ose ndihmë juridike disproporcionale bashkëkohore lidhur me thirrjen e ZPS-së për intervista.

Në këto prova thuhet se, është gjetur se këtu kanë qenë të përfshirë dhe “anëtarët e emëruar të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, Lahi Brahimaj, Sylejman Selimi, dhe Rrustem Mustafa i njohur si “Remi”.

Kurse sa i përket ndihmës, që i është dhënë Lahi Brahimajt theksohet se kjo ndihmë ishte plotësisht e drejtë dhe e arsyeshme, po ashtu thuhet se gjyqtari paraprak nuk ishte e nevojshme të nxirrte përfundimin, se Thaçi e kishte udhëzuar Driton Lajçin të bënte diçka të pahijshme.

Ndërsa theksohet se Thaçi është arsyetuar me atë se këto ndodhi nuk çojnë peshë, kurse gjyqtari i procedurës paraprake kishte hudhur poshtë këto arsyetime.

Tutje përmendet se Thaçi, i ishte drejtuar Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të asaj kohe, me një letër zyrtare jo-publike, e kjo për të bërë ndryshime kritike dhe penguese në mes hetimit të avancuar kriminal për anëtarët e rangut më të lartë të UÇK-së.

“Ai e bëri këtë 12 ditë pasi u thirr për një intervistë nga ZPS si i dyshuar, periudha kur u dërgua kjo letër është provë relevante që shpjegon bllokimin e procedurave të cilat donte t’i bënte Thaçi”, përmendet në përgjigjen e Prokurorisë.

“Me faljet e dy personave fajtorë për vrasjen e bashkëpunëtorëve, Thaçi bëri veprimin e tij të  fundit si president duke tejkaluar rekomandimin e bordit të faljes. E me këtë, për të zvogëluar dënimet e Bekim Sylajt dhe Shpresim Ukës (të dy ish-anëtarë të UÇK-së dhe SHIK90), ky i fundit i përfshirë në përpjekjet, për të ndërhyrë në dëshmitarët në gjykimin e mëparshëm të UÇK-së”, po ashtu ceket në këtë përgjigje.

Më tej thuhet se postet e mëparshme të Thaçit, përpjekjet për ndërhyrje, klima e frikësimit dhe faktorë të tjerë të identifikuar, potenciali i tij për të zhvilluar biseda private paraqesin një rrezik të pakontrollueshëm. Ashtu që theksohet se, për arsyet e cekura më lartë, paneli duhet të refuzojë ankesën e Thaçit në tërësi.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi po vazhdojnë të mbahen në paraburgim që prej kur u arrestuan në Kosovë.

Së fundi të katërt i janë drejtuar gjykatës së apelit të dhomave të specializuara me kërkesë për lirim me kusht pasi javë më parë kërkesat e tyre ishin refuzuar nga gjyqtari Nicolas Guillou.

Ata ishin arrestuar pasi ishin konfirmuar akuzat për krime të luftës kundër tyre.

Të gjitha akuzat që prokuroria pretendon se ishin kryer nga ata e tyre ishin hedhur poshtë nga katër krerët e UÇK-së.

Ata akuzohen se gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxiten vrasjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës

Vrasjet për të cilat ata po akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Pjesë e aktakuzës 68 faqesh të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushinik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushink kishin arrestuar afërsisht 30 persona ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civileve serb në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Të gjithë historikun e këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë link