Foto: Kallxo.com

Përfundon rigjykimi për grupin e akuzuar për trafikim armësh, pritet vendimi

Gjykimi ndaj Artan Kelmendit, Danjell Prendrecajt dhe Miftar Dobrajt, të akuzuar për krim të organizuar lidhur me trafikun e armëve përfundoi sot.

Ky gjykim është njëri ndër rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

I bashkëakuzuar në këtë proces ishte edhe Albert Veliu, dhëndri i të akuzuarit Dobraj.

Albert Veliu, i cili kur ishte arrestuar ka qenë vozitës i Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, është dënuar në SHBA, nga Gjykata Federale e Brooklynit me 9 vjet burgim për pastrim të parave dhe trafik të armëve.

Ky gjykim përfundoi me fjalën përfundimtare të palëve.

Gjyqtarja e çështjes Suzana Cerkini, seancën e radhës e caktoi për datën 13 mars në të cilën do ta shpallë vendimin gjykatës për te dytën herë  në këtë çeshtje penale.

Miftar Dobraj, Artan Kelmendi dhe Daniel Prendrecaj po akuzohen nga prokuroria Speciale se duke vepruar si një grup i organizuar në krye me ish-vozitësin e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, Albert Veliu, kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë.

Në muajin prill të vitit 2018 filloi gjykimi ndaj këtyre të akuzuarve nën akuzën për krim të organizuar për trafikimin e armëve.

Në seancën e parë të 17 prillit 2019, Dren Mulla kishte pranuar fajësinë për veprën penal armëmbajtje pa leje edhe procesi gjyqësor ndaj tij ishte veçuar duke vazhduar me tre të akuzuarit e tjerë.

Gjykata e shkallës së parë me 20 korrik të vitit 2018 kishte shpallur fajtor të akuzuarit për veprat penale trafikim me armë dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Prishtinës e kishte dënuar grupin e organizuar me 12 vjet e 8 muaj burgim e 14 mijë euro gjobë, ndërsa individualisht u kishte shqiptuar këto dënime.

Gjykata e Prishtinës kishte dënuar Miftar Dobrajn me 5.6 vjet burgim dhe 7 mijë euro gjobë.

Artan Kelmendin e dënoi me 5.2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa Daniell Prenrecajn e dënoi me 2 vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë, e të akuzuarin Dren Mulla e dënoi me 4 mijë euro gjobë.

Po ashtu, Gjykata kishte dhënë dënim plotësues konfiskimin e antitankut “Zola’’ me projektil 64 mm,  8 pushkëve automatike  AK47, një pushke ajrore, një revole ‘’GLOC’’, një Audi A3, shumën prej 1 mije e 653 euro si dhe 3 telefona.

Por Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, pasi që Gjykata e shkallës së parë në hyrje të aktgjykimit ka përshkruar kualifikimin ligjor që  e ka bërë gjykata e jo Prokuroria, pastaj dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin e tij, konstatimi i gjykatës ë shkallës së parë ishte në kundërshtim me provat materiale, gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin juridik të aktakuzës.

Ndërsa për të akuzuarin Dren Mulla është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë.