Foto: Kallxo.com

Përfundon procesi 6 vjeçar, ish-drejtori i Ramadan Mujës shpallet i pafajshëm

Gjykata e Prizrenit ka liruar nga akuzat ish drejtorin e Arsimit, Nexhat Çoçaj, dhe dy të bashkakuzuarit te tjerë Bekim Thaçi dhe Bedri Çejku.

Ish-drejtorit të Arsimit në komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, i është vjetërsuar edhe pika e tretë e aktakuzës, ndërsa për pikën katër dhe pesë, trupi gjykues vendosi ta lirojë nga akuzat.

VIDEO – Si e përshkruajnë monitoruesit zvarritjen e gjykimit të ish-drejtorit të PDK-së në Prizren

Trupi gjykues me kryetaren Ajser Skenderi që për herë të tretë ka gjykuar Çoçajn dhe dy të akuzuarit tjerë Bedri Çejku dhe Bekim Thaqi, në pika të shkurtra ka arsyetuar vendimin e shpallur, praktikë kjo që rrallë shihet nëpër sallat e gjykimit kur shpallet vendimi gjyqësor edhe pse është e paraparë me Kodin e Procedurës Penale.

Gjyqtarja Ajser Skenderi tha se sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, në rigjykimin e dytë, ekspertët financiarë të që kanë përpiluar super ekspertizën kanë thënë se në rastin konkret Komuna e Prizrenit nuk cilësohet si e dëmtuar.

Ndërsa edhe përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit në rigjykim nuk e vlerësuar shumën dhe lartësinë e dëmit, përkundër udhëzimeve të Gjykatës së Apelit që Komuna duet të konstatojë se në çfarë lartësie është dëmtuar buxheti i Komunës, por përfaqësuesi i Komunës këtë të drejtë ka thënë se do ta realizojë përmes procedurave civile.

Andaj trupi gjykues ka vlerësuar se në veprimet e të akuzuarve nuk ka element të veprës penale për keqpërdorim të fondeve për manifestimin e javës së dëshmorit “Remzi Ademaj”

Në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt që mbante pozitën e Drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit në kohën kur kjo komunë drejtohej nga Ramadan Muja i PDK-së.

Nexhat Çoçaj ngarkohej me 5 pika të aktakuzës, nën dyshimet se keqpërdori për 5 vjet rresht përgjatë viteve 2008 – 2012 me manifestimin e javës së dëshmorit  “Remzi Ademaj”, të mbështetur nga Komuna e Prizrenit.

Apeli urdhëron rigjykim të ri për Nexhat Çoçajn

Gjykimi maratonik ndaj ish drejtorit të Arsimit ka zgjatur 7 vite për shkak të përmbytjeve të vendimeve gjyqësore.

Alarmi i Prokurorit: Zvarritja e gjykimit ndaj Nexhat Çoçajt mund ta çojë rastin në parashkrim

Çoçaj akuzohej se gjatë pesë viteve të manifestimit të javës “Remzi Ademaj” keqpërdori 61,303 euro, ndërsa bashkë me Çoçajn akuzoheshin edhe dy mësimdhënësit Bedri Çejku dhe Bekim Thaçi.

Në vitin  2015 kanë filluar “maratonat” e gjykimit ndaj Nexhat Çoçajt dhe dy mësimdhënësve Bekim Thaçi e Bedri Çeku.

Që atëherë ndaj tre të akuzuarve janë zhvilluar dy procese gjyqësore në Gjykatën e Prizrenit dhe dy procese tjera në Gjykatën e Apelit.

Prokurori Mehdi Sefa gjatë gjykimit kishte shfaqur pakënaqësitë e tij më ecurinë e gjykimit “Nëse vazhdohet në këtë formë me shtyrje të seancave atëherë rrezikohet edhe parashkrimi i pikave tjera të aktakuzës ndaj të pandehurit Nexhat Çoçaj”.

Historia e rastit:

Në qershor të vitit 2016, Gjykata e Prizrenit  e kishte shpallur fajtor Nexhat Çoçajn dhe dy të akuzuarit tjerë nën akuzat për keqpërdorim.

Çoçaj ishte dënuar me tre vjet burg efektiv, i akuzuari tjetër Bekim Thaçi me 14 muaj ndërsa i akuzuari i tretë me gjashtë muaj burg.

Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin e se gjatë procesit gjyqësor ishin paraqitur dy ekspertiza të ndryshme dhe në kundërthënie me njëra-tjetrën.

Pas rigjykimit më 19 nëntor të vitit 2018, Gjykata e Prizrenit e kishte shpallur të pafajshëm Nexhat Çoçajn dhe dy të akuzuarit e tjerë.

Përsëri në tetor të vitit 2018 Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.