Gjykimi ndaj Hekuran Sokolit (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Përfundon gjykimi për tentim vrasje ndaj ish të dashurit të motrës

Gjykimi ndaj Hekuran Sokolit, i akuzuar për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje, përfundoi sot në gjykatën e Prishtinës.

Prokurorja e rastit Javorka Peniçeviq, në fjalën përfundimtare të dhënë në seancën e kaluar tha se ne bazë të provave në këtë gjykim është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale, andaj kërkoi nga gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor në bazë të ligjit si dhe t’ia konfikskojë armën “Ekol Special” me të cilën aktakuza thotë se është kryer vepra penale vrasje në tentativë.

Ndonëse mungoi në seancë, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Murat Demolli, fjalën përfundimtare i akuzuari e dorëzoi me shkrim dhe tha se qëndron në tërësi pranë saj.

Vendimi ndaj të akuzuarit Hekuran Sokoli do të shpallet më 11 dhjetor.

Sipas aktakuzës, më 23 nëntor 2016, në Prishtinë, i dëmtuari Leon Shabani, i dashuri i motrës së të akuzuarit, ishte para shtëpisë së të akuzuarit duke e pritur të dashurën e tij.

Në ato momente, sipas prokurorisë, i akuzuari Hekuran Sokoli, nga terasa e shtëpisë kishte gjuajtur dy herë me armë ‘’Ekol Special’’ të kalibrit 9 mm duke e plagosur Shabanin në  pjesën e djathtë të barkut.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas, i akuzuari kishte ikur nga vendi i ngjarjes me veturën e të dëmtuarit Leon Shabani.

Ndërsa të nesërmen më 24 nëntor 2016, i akuzuari ishte dorëzuar vullnetarisht në polici ku kishte dorëzuar edhe armën me të cilën dyshohet se kishte shtënë në Leon Shabanin.

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë rast. Artikujt mund t’i gjeni në këtë link.