Përfundon gjykimi ndaj zyrtarëve të urbanizmit në komunën e Skenderajt

Hasan Shala, ish drejtor i Urbanizmit në Komunën e Skenderajt dhe Sanije Ahmeti (zyrtare në këtë drejtori), aktualisht drejtoreshë e Urbanizmit, akuzohen nga prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ahmeti përveç për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar akuzohet edhe për veprën penale mashtrim në detyrë.

Në seancën e mbajtur sot ne gjykatën e Mitrovicës ndaj tyre u dha fjala përfundimtare nga palët, më çka edhe ka përfunduar procedura gjyqësore ndaj tyre.

Prokurori Ismet Ujkani me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që në bazë të shkresave të lëndë të pandehurit t`i shpall fajtor dhe t`i dënoj sipas ligjit.

Prokurori ka deklaruar se të pandehurit si persona zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

“Të pandehurit si persona zyrtare kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që të fitoj dobi pasurore organizata NNSH ”ILEAA-GR” ku sipas marrëveshjes e pandehura Sanije Ahmeti ka kërkuar nga zyra e prokurimit që të bëhet reformatimi ndryshimi i pozicionit të parapara në kontratë për rregullimin e parkut të pishat në Skenderaj, kurse i pandehuri Hasan Shala ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën edhe pse nuk ka qenë kompetencë e të pandehurit”, tha Ujkani.

Ndërsa avokati Gani Rexha, i cili në këtë rast e mbron të akuzuarin Hasan Shala nuk është pajtuar me fjalën përfundimtare të prokurorit, duke thënë se nuk ka gjetur mbështetje në fakte dhe prova konkrete për ekzistimin e veprës penale.

Rexha ka theksuar se nuk ka dëgjuar asnjëherë të jetë përmendur shumë e parave me të cilën është pasuruar i akuzuari në mënyre të kundërligjshme, apo që i ka sjellë dobi pasurore firmës “NNSH ”ILEAA-GR”.

“Unë nuk dëgjova se me çfarë shuma parash është pasuruar i akuzuari në mënyrë të kundërligjshme me çfarë shume parash i ka sjell fitim pasurore firmës “NNSH ”ILEAA-GR” apo sa ishte shuma e parave me të cilat është dëmtuar Buxheti i Republikës së Kosovës, pa precizimin e shumave të përfitimit pasuror kundërligjor nuk mund të bisedohet për kryerje të veprës penale…sepse provat te cilat u nxjerrën gjate shqyrtimit gjyqësor nuk e vërtetuan këtë fakt“, theksi Rexha.

Fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe avokatja Drita Shaban Haxhaj e cila ka thënë se me provat e nxjerra gjatë shqyrtimit gjyqësor në asnjë mënyrë nuk është vërtetuar se e mbrojtura e saj Sanije Ahmeti ka kryer veprën me të cilën ngarkohet nga prokuroria, andaj i ka propozuar gjykatës që në mungesë të provave të mbrojturën e saj ta liroj nga aktakuza.

Ndërsa e pandehura Ahmeti ka deklaruar se nuk ka pas asnjë qëllim të përfitimit apo dëmtimit me reformatimet që janë bërë në kontratë për rregullimin e parkut “Te Pishat“.

“E gjithë puna që është bërë nuk ka pasur ndonjë qëllim përfitimi apo dëmtimi por është bërë një punë e cila ka qenë shumë e nevojshme dhe është realizuar një park të cilin nuk e ka pasur qyteti i Skenderajt kështu që mund të them se tani kemi parkun i cili është realizuar në bazë të kontratës duke mos ndryshuar çmimin total“, tha Ahmeti.

Paraprakisht në këtë seancë janë marr në pyetje të pandehuri Shala dhe Ahmeti, ndërsa pas dhënies së fjalës përfundimtare, kryetari i trupit gjykues Beqir Halili ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet të premten.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon Shalën se në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Skenderajt, si dhe Ahmetin si inxhiniere e arkitekturës në këtë Drejtori, se duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Sipas akuzës, ata këtë e kanë bërë me qëllim që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër dhe atë organizata e biznesit NNSH ”ILEAA-GR”.

Në akuzë thuhet se Sanije Ahmeti si mbikëqyrëse e punimeve të projektit për rregullimin e “Parkut te Pishat” në Skenderaj në shtator 2011 ka kërkuar nga Zyra e Prokurimit që të bëhet riformatimi- ndryshimi i pozicioneve të parapara me kontratën e datës 21 korrik 2011.

Kjo ishte e nënshkruar në mes Komunës së Skenderajt dhe kompanisë NNSH” ILEAA-GR” për rregullimin e pishave të parkut në Skenderaj në vlerë prej 88,004.00 euro.

Ndërsa i akuzuari Hasan Shala, sipas aktakuzës, në tetor 2011, ka marrë vendim me anë të të cilit është aprovuar kërkesa, duke ndryshuar kështu pozicionet e punës së rrethojës të parapara me kontratë, me zëvendësimin e platosë me kubëza dhe murit mbrojtës për punime në terren edhe pse kompania NNSH ”ILEAA-GR” kishte filluar realizimin e punëve sipas kontratës.

Në aktakuzës thuhet se ndryshimi i pozicioneve në paramasë nuk lejohet dhe se implementimi është dashur të bëhet në pajtim me kushtet e përcaktuara me kontratën e nënshkruar dhe asnjë kusht i kontratës nuk duhej ndryshuar pas nënshkrimit të saj.

Me këtë Shala dhe Ahmeti akuzohen se kanë kryer veprën “keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Përveç kësaj, Sanije Ahmeti si inxhiniere e arkitekturës në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Skenderajt akuzohet edhe për veprën penale  “mashtrimi në detyrë“.

Kurse sipas akuzës ajo këtë e kishte bërë me prezantimin e rremë të raporteve të datës 12 dhjetor 2011, mbi përfundimin e punëve në rregullimin e parkut “Te Pishat” në Skenderaj duke cekur se punët janë kryer ashtu siç është paraparë me kontratë.

Akuza thotë së ajo këtë e kishte bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo kompaninë NNSH ”ILEAA-GR” në Skenderaj, duke vënë në lajthim personat e autorizuar zyrtarë në kryerjen e pagesave në shumën prej 80,190.00 euro, si dhe në shumën prej 7,814.00 euro edhe pse kompania NNSH ”ILEAA-GR” nuk i kishte përfunduar punët ashtu siç ishte paraparë me kontratë.