Foto: Kallxo.com

Përfundon gjykimi ndaj dy ish drejtorëve të arsimit në Mitrovicë

Gjykimi ndaj Ajmane Barani dhe Pajazit Hajzerit ka përfunduar. Ajmane Barani nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohet se në cilësinë e Drejtoreshës së Arsimit kishte kryer dy vepra penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar“ dhe “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Kurse i akuzuari tjetër Pajazit Hajzeri, poashtu ish-drejtor i Arsimit akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar.

Sipas aktakuzës në Mitrovicë, derisa anëtarët e komisionit për vlerësim dhe poentim Njomza Hamza dhe Isa Sejdija në cilësinë e procesmbajtësit, ishin mbledhur që t’i intervistojnë kandidatët për gjuhën frënge, e pandehura Ajmane Barani iu kishte thënë që të mos e bënin poentimin sepse këtë do ta bënin më vonë, dhe për këtë anëtarët Hamza dhe Sejdija nuk e kishin nënshkruar procesverbalin.

Në ditën e njëjtë, prokuroria në akuzë ka shpjeguar se i dëmtuari Naim Bunjaku ishte lajmëruar nga zyrtarja e DKA-së, Shefkije Dragaj se është pranuar si mësimdhënës i gjuhës frënge, pozitë në të cilën ai ka filluar punën si mësimdhënës.

Por Bunjaku me 7 shtator 2015, ishte njoftuar nga drejtoresha e Arsimit, përkatësisht tani e akuzuara Barani se “nuk ka buxhet dhe orët do t’ia ndajë arsimtarëve të tjerë”.

Kurse me datën e njëjtë ishte shpallur lista e punëtorëve të pranuar, ku thuhet se nuk është përfillur afati i ankesës, siç shkruan 15 ditë, por menjëherë kishte filluar punën kandidatja Luljeta Ibrahimi.

Ndërsa në procesverbalin e panënshkruar nga anëtarët e komisionit shihej se pikët më të larta tani i ishin dhënë Luljeta Ibrahimit dhe atë 30 pikë, ndërsa të dëmtuarit Naim Bunjaku 29 pikë.

Për këtë arsye edhe ishte anuluar ky konkurs. Me këtë, Ajmane Barani akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa i pandehuri Pajazit Hajzeri akuzohet se më 14 tetor 2015, në cilësinë e ish-Drejtorit të Arsimit, me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare ka vërtetuar dokumentin zyrtar dhe atë procesverbalin e “Gjimnazi- Frang Bardhi” në Mitrovicë, pikërisht vendimin për lëndën edukatës fizike dhe për lëndën gjuhë frënge, për kandidatët kinse janë poentuar dhe themeluar marrëdhënie pune, pasi që kanë marrë pikët kinse nga anëtaret e komisionit.

Ndërsa siç thuhet në akuzë ky dokument ishte pa datë dhe i pa nënshkruar nga anëtaret e komisionit. I akuzuari Hajzeri ka vulosur procesverbalin e lartcekur, të cilin e ka anuluar Inspektorati i Punës.

Me këtë, Pajazit Hajzeri, akuzohet për veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

I dëmtuar në këtë proces është kandidati për atë pozitë, Naim Bunjaku.

Gjykimi ndaj të lartcekurve ka përfunduar dje në seancën e mbajtur në gjykatën e Mitrovicës, pas dhënies së fjalës përfundimtare nga palët në këtë rast.

E para që e dha fjalën përfundimtare ishte prokurorja e rastit Fetije Bajrami Shala, e cila ka kërkuar që dy të akuzuarit, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, pasi sipas saj, është vërtetuar se ata kanë kryer veprat penale me të cilat akuzohen.

Kurse e akuzuara Ajmane Barani, ka deklaruar se ajo nuk e ndien veten fajtore dhe  ka mohuar të ketë shkelur ligjin.

“Nuk jam fajtore dhe nuk kam shkel asnjë nen të ligjit. Mendoj se e kam respektuar ligjin e arsimit parauniversitar dhe Udhëzimet që dalin nga ai ligj, njëkohësisht duke mos cenuar në asnjë moment të drejtën e personit i cili na padit për diçka që besoj se nuk është e saktë. Kërkoj  që të lirohem nga përgjegjësia penale “, tha Barani.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Pajazit Hajzeri, avokati Sheremet Ademi, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, duke shtuar se nuk është provuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale.

Ademi ka kërkuar që i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga akuza.

Pasi që palët kanë dhënë fjalën përfundimtare gjykatësi Beqir Halili, ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 28 janar.

Mitrovicë, ish-zyrtarët e komunës dëshmojnë në gjykimin e ish-drejtorëve të arsimit

Rrëfimi para Gjykatës i kandidatit për mësues që nuk u punësua në Mitrovicë

Shtyhet gjykimi i ish-drejtorëve të Arsimit për pozitën e arsimtarit të gjuhës frënge

.