Përfundon aksioni i policisë, arrestohen katër persona

Operacioni policor i cili u zhvillua në disa rajone mëngjesin e sotëm ka përfunduar me katër persona të arrestuar.

Sipas njoftimit të policisë, ky operacion ishte vazhdim i operacionit policor i cili ishte zhvilluar me 21 mars të këtij viti, ku ishin konfiskuar 99 armë të vogla.

Policia ka bërë të ditur se operacioni policor “Pakoja”, ka filluar sot në orët e para të mëngjesit, ku janë kontrolluar tetë lokacione të ndryshme në Pejë, Prishtinë, Mitrovicë dhe Prizren, dhe janë arrestuar të dyshuarit  I.M, 44 vjeçar, N.N, 44 vjeçar, N.G, 43 vjeçar, dhe V.I, 30 vjeçar.

Në këtë operacion i cili ishte mbështetur  nga Njësitë Speciale Operative, njësitet patrulluese kanë arrestuar të dyshuarit nën dyshimin për përfshirje në veprat penale: ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ dhe ‘falsifikim i parave’.

Si prova materiale në këtë operacion policor janë sekuestruar 12 mijë e 376 euro, dy pako produkte medicinave vlera rreth 10 mijë euro, pesë fishekë kalibër te ndryshëm, një llap top, tetë shtëpiza kompjuteri, një  DVR, tre  telefona celular, dokumentacion të ndryshëm që mund të përdoren për procedura të mëtejme, dy bankënota njëra 50 euro dhe tjetra 20 euro te cilat dyshohet se janë te falsifikuara.

“Me urdhëresë të Prokurorisë Speciale janë ngrirë të gjitha llogarit financiare të të dyshuarve dhe bizneseve të tyre. Po ashtu me aktvendim të prokurorit dy të dyshuarit e parë janë ndalur në mbajtje për 48 orë, kurse dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se operacioni është mbështetur edhe nga ATK, AKPM dhe Dogana e Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së sotme për aksionin e policisë.

Fotografi nga aksioni i Policisë së Kosovës në disa qytete