Përballja për krimet e luftës, Velko Odalloviq përballë familjarëve të të pagjeturve të Kosovës

Njëri nga zyrtarët e lartë të partisë së Sllobodan Millosheviqit është ballafaquar në një debat të drejtëpërdrejtë me viktimat e luftës në Kosovë.

Odalloviq, që në vitin 1999 drejtonte Komunën e Prishtinës, është sot zyrtar në Qeverinë e Serbisë për të pagjeturit.

Në debat kanë marrë pjesë edhe motra e Ukshin Hotit, Myrvete Kosumi, familjarë të Krushës dhe Ibrahim Makolli, përfaqësues nga Komisioni i të pagjeturve në Kosovë.

Debati, i cili konsiston me përvjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, transmetohet sonte nga ora 20:05 në RTK.

Myrvete Kosumi, motra e Ukshin Hotit shpjegon se si nuk kishte mundur ta presë te dyert e burgut gjatë bombardimeve sepse kishte qenë refugjate në Maqedoni. Por, sonte ajo arrin ta pyes Velko Odalloviqin, njeriun që mbajti poste të larta në Kosovë gjatë gjithë regjimit të Millosheviqit në vitet 1990, se çka ka ndodhur me vëllanë e saj prej momentit që e kanë liruar prej Burgut të Dubravës më 16 maj 1999.

Odalloviq detyrohet t’i shpjegojë Agron Limanit, përfaqësues i të pagjeturve në Krushë, se pse në vitin 1994 kishte kërkuar nga Sadri Fetiu, drejtor i Institutit Albanologjik që gjithë albanologët t’ia lëshojnë objektin e Institutit shtetit të Serbisë dhe kur shqiptarët kishin refuzuar, Policia kishte ardhur t’i rrahte.

Çka thotë Odalloviq tash, pas 25 vjetëve, për fytyrën e përgjakur të Sadri Fetiut, drejtorit të atëhershëm të Institutit Albanologjik, të cilit i kishte shkuar disa herë në zyrë për ta detyruar ta lëshojë objektin.

Çka po ndodh me kërkimin e 1,641 personave të pagjetur në Kosovë sot? Cilat janë sfidat për përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të grupeve punuese për persona të zhdukur që punojnë që nga vitit 2004 me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq?

Panelistë në debat janë: Ibrahim Makolli, shef i delegacionit të Kosovës për personat e zhdukur, Velko Odalloviq, shef i delegacionit të Serbisë për persona të zhdukur, Myrvete Kosumi, motra e Ukshin Hotit, Agron Limani, familjar i të zhdukurve në Krushë, Silvana Marinkoviq, që e ka të zhdukur burrin nga lufta në Kosovë dhe përfaqëson Shoqatën e të zhdukurve në Graçanicë.

Gjithashtu, nga terreni përvojën e tyre e ndajnë familjarë të të pagjeturve si: Bajram Çerkini, nga shoqata “Zëri i Prindërve”, Ferdonije Qerkezi, familjare e të zhdukurve në Gjakovë,  Halil Ujkani, Kadri Jusufi, Nezir Avdyli, Ismet Zasella, familjarë të të zhdukurve në Mitrovicë, Lutfije Vokshi, familjare e të zhdukurve në Prishtinë, Ivan Nikoliq nga organizata CSD në Graçanicë dhe Aleksandar Rapajiq, nga organizata “Aktiv”.

Emisioni “Jeta në Kosovë” transmetohet në ora 20:05 çdo të enjte në RTK dhe Facebook të KALLXO.com dhe repriza të premten në mesditë.