Foto: KALLXO.com

Për t'u shëruar në spitalin e burgut, gjakovari pranoi rrejshëm se vodhi bicikleta

Avokati i një të dënuari për vjedhje të biçikletave ka habitur sot të pranishmit në sallën e Gjykatës së Apelit kur ka shpalosur kërkesën e tij për uljen e dënimit ndaj klientit.

Agim Muhaxheri doli në gjykatore për të kërkuar nga kryetari i kolegjit në Apel, Hashim Çollaku, që t’ia ulë dënimin klientit të tij, Shkëlzen Krasniqi, për shkak se ai e kishte pranuar fajësinë vetëm që ta ketë më të lehtë mjekimin në spital të burgut.

34 vjeçari nga Gjakova, sipas aktakuzës së Prokurorisë, nga marsi i vitit 2018 deri në  shkurt  të 2019 kishte vjedhur 25 biçikleta të markave të ndryshme në vlerë prej 5,085 euro në qytetin e Gjakovës.

Gjykata e Gjakovës më 25 prill 2019 e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me 28 muaj burgim dhe me 600 euro gjobë.

Por avokati Muhaxheri kërkoi që ky dënim ndaj tij të ulet.

“E ndjej obligim moral, edhe si avokat edhe si qytetar, ta bëj ankesën sepse (klienti) nuk është mirë, është i sëmurë, ka me u operu. Ndoshta prej burgut ma lehtë e ka me u mjeku në spital sesa si qytetar privat, për këtë arsye e ka pranuar veprën”, tha avokati Agim Muhaxheri.

“Nëse ka mundësi me ju zvogëlu dënimi vetëm për këtë arsye, sepse nuk e dimë në çfarë gjendje psikike i ka kryer këto vepra. Ndërsa në aspektin procedural skam çka me diskutu në rregull është, por ankesa është vetëm lidhur me lartësinë e dënimit”, tha Muhaxheri.

Edhe i akuzuari u pajtua me kërkesën e avokatit të tij.