Për të tretën herë dështon seanca gjyqësore ndaj dy zyrtarëve të Suharekës të akuzuar për mos rrënimin e objekteve pa leje

Mungesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar “Agro Kosova Holding” – Haziz Tafaj të martën në Gjykatën e Prizrenit bëri që për të tretën herë të dështoj të mbahet gjykimi ndaj drejtoreshës së Inspeksionit dhe inspektorit të Ndërtimtarisë.

Jehona Rrafshi- Lumi, nga Prokuroria po akuzohet se në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës, nuk kishte rrënuar në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje.

Kurse, Hafir Maliqaj akuzohet se në cilësinë e inspektorit të ndërtimtarisë nuk i kishte ndërmarrë masat ligjore për pengimin e rindërtimit të dy objekteve afariste në Suharekë.

Kryetarja e trupi gjykues Teuta Krusha ka bërë të ditur se pronari i “Agro Kosova Holding”,  Haziz Tafaj nuk gjendet në adresën të cilën e ka deponuar prokurori Metush Biraj.

Lidhur me këtë, gjykatësja Krusha kërkoi nga prokurori i çështjes që brenda një afati të arsyeshëm të siguroj adresën e të njëjtit.

Në mungesë të kushteve ligjore gjykimi i sotëm nuk u mbajt, i njëjti u caktua për datën 8 korrik 2022.

Për aktakuzën ndaj drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit në Suharekë, Jehona Rrafshi- Lumi, dhe ndaj Hafir Maliqaj inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspeksionit, Kallxo.com ka raportuar edhe më herët.

Jehona Rrafshi- Lumi po akuzohet nga Prokuroria se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës pasi që paraprakisht kishte nxjerrë një konkluzion lidhur me disa parcela kadastrale pronë e të dëmtuarës “Agro Kosova-Holding”, më pastaj në kundërshtim me frymën e konkluzionit nuk e kishte rrënuar në tërësi objektin afarist të investitorit B. G., të ndërtuar pa leje.

Ndërsa Hafir Maliqaj, Prokuroria po e akuzon se ndonëse në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i ndërtimtarisë nuk i ka ndërmarrë masat ligjore për pengimin e rindërtimit të objektit afarist në lagjen Shirokë të Suharekës, objekt ky i ndërtuar nga investitori B. G., që ishte pronë e të dëmtuarës “Agro Kosova – Holding”.

Sipas Prokurorisë, Maliqaj ishte mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër – ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit, vetëm pasi kishte përfunduar ndërtimi, me ç ‘rast të dëmtuarës “Agro Kosova – Holding”, i ka shkaktuar dëme materiale apo ia ka shkelur të drejtat e saja.

Pika tjetër e aktakuzës së Prokurorisë, e ngarkon Maliqajn se nuk ka vepruar sipas urdhrit të lëshuar nga vetë ai edhe në një rast tjetër që e obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fshatin Reshtan të Komunës së Suharekës, të pajisej me leje ndërtimi në afatin prej 15 ditësh.

Prokuroria pretendon se Maliqaj nuk e ka penguar investitorin Xh. R., të vazhdojë ndërtimin e mëtutjeshëm, duke dalë me vonesë në vend të ngjarjes dhe duke mos vepruar sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por që të njëjtit i ka dhënë afat shtesë që të pajiset me leje ndërtimi, e kësaj here më gjatë se 30 ditë.

Veprime me anë të të cilave Prokuroria pretendon se i akuzuari Maliqaj, i ka shkaktuar dëme materiale Komunës së Suharekës.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.