Për një vit, vetëm 8 aktakuza për keqpërdorime në tenderë

Vetëm 8 aktakuza janë ngritur për keqpërdorime nëpër tenderë në vitin 2019. Të dhënat e Këshilli Prokurorial i Kosovës thonë se 7 aktakuzat janë ngritur nga Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe një nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Në total 13 kallëzime penale që kanë të bëjnë më prokurimin janë hedhur poshtë nga prokurorët e Prokurorive, pa ndërmarr veprime hetimore.

Ndërsa janë pushuar hetimet për 6 raste penale qe ndërlidhën me procedurat e prokurimit publik, qe në total janë 27 kallëzimeve penale për vitin 2019.

Në të dhënat e Këshillit Prokurorial për këto vepra penale figurojnë edhe vendimet e gjykatave për këto 8 aktakuza.

Nga 8 aktakuzat e ngritura nga Prokuroritë e Kosovës, vetëm për 1 është arritur të merret vendim nga Gjykatat e Kosovës, e cila aktakuze është hudhur nga Gjykata pa kaluar në shqyrtim gjyqësor, e qe për 7 aktakuzat tjera ende nuk është marrë vendim nga Gjykatat në Kosovë.

“Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” ka hyrë vepër penale në Kodi e ri Penal të Kosovës që ka hyrë në fuqi me 14 prill të vitit 2019.

Kjo vepër penale është e sanksionuar në nenin 415 të Kodit Penal, në kuadër të kapitullit të veprave penale të korrupsionit dhe atyre kundër detyrës zyrtare ka parapare veprën penale të veçantë lidhur me prokurimin publik.

Dënimi maksimal që mund të shqiptohet për këtë vepër penale është 8 vjet burg.

“Kushdo që me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, marrëveshje të fshehtë kundërligjore apo ndërmerr ndonjë veprim tjetër të paligjshëm me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe më qëllim të ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, dënohet me gjobë dhe burgim deri në pesë (5) vjet” thuhet në nenin 415 të Kodit Penal.

Ndërsa nëse përfitimi ose dëmi i realizuar nga kjo vepër penale shkon mbi 5 mijë euro, atëherë legjislacioni ka parapare dënim deri në 8 vite burgim.

KALLXO.com ka monitoruar disa raste ku prokuroria e ka bazuar si prove Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës.

Një prej tyre është rasti i ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi i cili akuzohet se ka lidhur kontrata të kundërligjshme me dy televizione për transmetimin e mbledhjeve të Asamblesë në kohën kur ishte Kryesues i Asamblesë Komunale të Prizrenit.

Prokuroria pretendon se Gashi pa procedurë të tenderimit ka lidhur kontrata për transmetimin e seancave të Asamblesë Komunale me “TV Besa, në shumën prej 250 euro për çdo seancë, ndërsa këto pagesa janë autorizuar në shumën prej 1.750 euro.

Një aktakuze tjetër është rasti kur prokuroria e akuzon ish-drejtorin e  Urbanizmit në Prizren Nijazi Kryeziu, se pa hapur ndonjë procedurë tenderuese ka lidhur kontratë me TV Opinion për transmetimin e spoteve reklamuese  për sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit me të cilën ka udhëhequr.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate  cilësohet të jetë në total prej 7 mijë e 200 euro, për periudhën 1 Janar deri më 31 Dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.

Prokuroria e Prizrenit ka akuzuar edhe ish-drejtorin e dorëhequr të financave, Ertan Simitci,  për lidhje të kontratave pa procedurë të tenderimit me disa media lokale.

Rasti tjetër i monitoruar është kundër Hasan Hasanit që ishte drejtor në periudhën 2015 – 2016, e qe akuzohet se lidhi kontrata në vlerë 7 mijë euro pa procedura të prokurimit.

I njëjti e pranoi fajësinë para gjykatës pas 15 ditësh negociata me prokurorinë.

Çdo vit, institucionet e Kosovës dhe ndërmarrjet publike shpenzojnë rreth 650 milionë euro nëpër tenderë.