Foto: Kallxo.com

Pensionistit ‘nuk i kujtohet’ përplasja për fëmijët që çoi në përdorimin e armës

Konflikti me armë i korrikut të vitit 2009 ka qenë i vështirë për t’u kujtuar 10 vjet pas nga pensionisti Luan Kuqi, i thirrur në gjykatën e Mitrovicës si dëshmitar i incidentit.

Të mërkurën në gjykatën në Mitrovicë u mbajt seanca ndaj Gani Gërxhaliut në të cilën u dëgjuan fqinjët e tij në cilësinë e dëshmitarëve.

Incidenti për të cilin Gërxhaliu akuzohet nga Prokuroria në Mitrovicë është një zënkë fëmijësh që kishte degjeneruar në përdorim të armës.

“Nuk më kujtohet se çfarë ka ndodhur pasi kanë kaluar 10 vite. Nuk më kujtohet nëse kam qenë në shtëpi por as nuk isha në vendin ku kishte ndodhur rasti”, tha Luan Kuqi.

“Edhe nëse unë kam qenë në shtëpi nuk kam dëgjuar asgjë lidhur me shkrepjen e armës, dhe as nuk kam parë asgjë”, shtoi ai.

Djali i të dëmtuarit në këtë incident, në dëshminë e tij kishte thënë se Kuçi e ka shtëpinë “vetëm 5 metra larg” vendit të ngjarjes ndërsa për incidentin tha se kishte dëgjuar “nga llafet e grave”. Por atij nuk i kujtohej as nëse Policia në Mitrovicë e kishte ftuar të jepte deklaratë atëbotë.

Kur prokurorja e rastit Natasha Taniq, ia tregoi dëshmitarit procesverbalin mbi marrjen në pyetje dhe e pyeti se a ishte ai nënshkrimi i tij, Kuçi e pranoi atë.

“Po, ky është nënshkrimi im”, tha dëshmitari.

Por kur filloi të ballafaqohej me deklaratën e tij dhënë në polici, dëshmitari sfidoi prokuroren.

“Nuk e di çfarë kanë shkruar policët, kjo nuk është çfarë kam deklaruar unë”, tha ai.

Më pas kur u pyet nëse ishte detyruar me forcë ta nënshkruajë procesverbalin, Kuçi e mohoi një gjë të tillë.

“Jo, vullnetarisht e kam nënshkru por ju kam besu policëve se s’kam ditë që shkrujn ata çka ju konvenon”, tha ai.

Më pas ai u pyet nga prokurorja se cila është deklarata e saktë e tij.

“Sot çfarë kam deklaruar është e saktë sepse më mirë e kujtoj sot se atëherë”, tha Luan Kuçi.

Ali Nimani, djali i të dëmtuarit Rrahim Nimani, në cilësinë e dëshmitarit sot para gjykatës tha se kur kishte filluar konflikti në mes babait të tij dhe Gërxhaliut nuk kishte qenë i pranishëm, por më pas kishte dalë nga shtëpia “me qëllim që ta qetësoj situatën në mes tyre”.

“E kam marrë babain kemi hy brenda në shtëpi, pas pak kemi dëgju 2 apo 3 krisma të armës. Kur kam dalë në ballkon e kam parë Gani Gërxhaliun me allti në dorë para shtëpisë tonë dhe na ka sharë duke na thënë ‘dilni ku jeni e nanën u’a …..’. Që të mos vinte deri te ndonjë problem babai më ka ndalur të mos dal jashtë, unë pastaj i kam thirrë policinë, të cilët kanë ardhur pas 30 minutave”, tha Ali Nimani.

Në pyetjen e Gani Rexhës, avokat i të dëmtuarit, se a ka pasur mundësi Ganiu ta nxirrte revolen në atë moment kur ishin në konflikt, dëshmitari tha se nuk e dinte. Ai tha se ky ishte konflikti i vetëm që kishin pas me Gani Gërxhaliun dhe pas një muaji, ai bashkë me me djalin e tij kishin shkuar te shtëpia e të dëmtuarit për t’i kërkuar falje.

Gjatë seancës së sotme, edhe vet i dëmtuari Rrahim Nimani u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit.

“Isha në ballkonin e shtëpisë sime kur kam parë të akuzuarin se doli  nga vetura e tij dhe shkoi afër nipit tim dhe i ka thënë ‘kam me të mbyte se po ma nguc djalin’. Aty kam dalë nga shtëpia dhe kur kam shkuar, Ganiu edhe pse më i ri se unë ka filluar të më bërtasë edhe unë  kam bërtitur. Aty ka filluar konflikti ku kemi pas mu rreh, por aty erdhi djali Alia dhe pastaj kemi hyrë në shtëpi”, tha Rrahim Nimani.

“Pas pak janë dëgjuar 2 apo 3 krisma të armës dhe kemi dëgjuar të akuzuarin duke na sharë me familje. Pastaj djali i ka thirrë policinë, ata pas pak kanë ardhë dhe kanë kontrolluar shtëpinë mos ka ndonjë vrimë nga plumbat”, tha Rrahim Nimani.

Sipas aktakuzës, Gani Gërxhaliu akuzohet se më 17.07.2009, rreth orës 18:20, në Mitrovicë kishte përdorur armën me vringëllimë e frikësim pas fjalosjes verbale për shkak të fëmijëve.

Aktakuza thotë se I pandehuri fillimisht I kishte thënë të dëmtuarit “për 24 orë me lshu ktuhën”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kur i dëmtuari ka hyrë në shtëpi dhe kishte dalë në ballkon, i akuzuari kishte shkuar në shtëpi kishte marrë revolen me pesë fishekë ishte kthyer prapë te shtëpia e të dëmtuarit duke shtënë 3 herë me armë.

Seanca e sotme u ndërpre ndërsa tjetra u caktua për 23 shtator.