Pejë, Zyrtari i komunës akuzohet se ka fshirë 18 mijë euro borxhe tatimore

3 dëshmitarë kanë dalë sot para gjykatës për të dëshmuar lidhur me procesin gjyqësor, ku Haki Kartallozi, zyrtar i komunës së Pejës, po akuzohet për fshirjen e borxheve tatimore mbi 18 mijë euro.

Kartallozi sipas prokurorisë përmes programit kompjuterik, është futur në fjalëkalimet e zyrtarit për komunitete Gani Toska dhe zyrtares për tatim në pronë Makfirjete Limani, duke arritur  kështu që nga sistemet kompjuterike të tyre të fshijë obligimet tatimore të disa tatimpaguesve.

Makfirjete Limani, që është zyrtare për tatim në pronë, tha sot para gjykatës se ajo e kishte kuptuar nga drejtori i saj dhe hetuesit policor që ka pas ndërhyrje në kompjuterin e saj lidhur me të dhënat tatimore të tatimpaguesve.

“Unë nuk i kam vërejtur ndryshimet në të dhënat tatimore, këta e kam kuptuar më vonë nga hetuesit policor”, tha Limani.

Dëshmitarja tha se i akuzuari Kartallozi në vitin 2012 ka qenë i punësuar si zyrtar për futjen e të dhënave tatimore, ndërsa kur janë paraqitur dyshimet për keqpërdorime, atij i është ndrruar pozita duke kaluar në zyrtar për komunitete.

Limani pasi përfundoi dëshminë e saj tha se ka pasur kërcënime të shumta në rrjete sociale prej momentin që janë paraqitur dyshimet për ndërhyrje nga kompjuteri i saj.

“Unë e kam lajmëruar policinë për këto kërcënime, por asgjë prej asaj punë, unë tani jam në depresion lidhur me këtë”, tha dëshmitarja Limani.

Para gjykatës dëshmoi edhe Gani Toska, që është zyrtar për kthim dhe komunitete në Komunën e Pejës.

Ai tha se me të akuzuarin Haki Kartallozi në vitin 2016 kanë punuar bashkë në një zyre, deri në momentin e arrestimit të Kartallozit.

Dëshmitari Toska tha se i akuzuari ka pas qasje në kompjuterin e tij dhe se ka qenë në njohuri për fjalëkalimin e tij.

Toska tha se sa kishte qenë në pushim vjetor atij i ishte sekuestruar kompjuteri i tij nga ana e policisë.

“Gjatë kohës sa unë kam qenë në pushim, kur më lajmëroi shefi se ma kanë marrë kompjuterin, unë e pyeta pse, ai me tha se Hakia po dyshohet”, tha dëshmitari tutje.

Në seancë sot ishte ftuar edhe hetuesi policor i këtij rasti F. J.

Gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj tha se hetuesi është ftuar që të e sqaroi një fakt, sepse në të kundërtën hetuesit nuk ftohen për t’u dëgjuar si dëshmitar lidhur me raportet e tyre policore.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatëses Mekaj, hetuesi tha se të gjitha të dhënat e ndërhyrjeve tatimore ruhen në kuadër të ministrisë së financave, drejtoria për financa.

Gjyqtarja nuk i lejoi prokurorit dhe mbrojtjes së të akuzuarit, që dëshmitarit të i parashtrohen pyetje për raportin e përpiluar nga ana e tij, pasi sipas saj raporteve policore mund të iu referohen vetëm  kur ka dyshime për kundërligjshmëri të tyre.

Seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 6 dhe 7 dhjetor.

Sipas aktakuzës Kartallozi, prej 14.07.2016 në mënyrë të vazhdueshme deri me 15.10.2016, duke pasur qasje në sistemin e digjitalizuar, arrin të futet në sistemin kompjuterik të dëshmitares M. L., duke shlyer obligimet tatimore të dëshmitarit B. G. dhe disa tatimpaguesve të tjerë.

Dosja e Prokurorisë sqaron se me këto veprime Kartallozi i ka shkaktuar dëme Komunës së Pejës në vlerë mbi 18 mijë euro.