Nga një seancë e mëhershme për vrasjen e Mentor Zekajt. Foto: Kallxo.com

Pejë, shtyhet rigjykimi për vrasjen për borxhin e dyshuar prej 77 mijë euro

Një seancë rigjykimi për një vrasje e cila dyshohet se u krye për shkak të një borxhi prej 77 mijë euro nuk u mbajt të mërkurën në gjykatën e Pejës.

Kreshnik Haliti po akuzohet nga Prokuroria për vrasjen e Mentor Zekajt më 6 mars të vitit 2017.

Aktakuza thotë se Haliti e kishte goditur Zekajn disa herë me armë dhe një herë me brisk duke e privuar nga jeta.

Kreshnik Haliti në korrik të vitit 2018 ishte dënuar me 22 vjet e 6 muaj burgim, por pas ankesës së mbrojtjes Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Por në mungesë të avokatit Besnik Berisha, Gjykata e Pejës nuk ka mundur ta vazhdojë të mërkurën procesin gjyqësor kundër Halitit.

Sipas aktakuzës, vrasja ishte kryer për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me borxhin në vlerë prej 77 mijë eurove që i akuzuari Haliti pretendohet se ia kishte viktimës.

Kryetarja e trupit gjykues Lumturije Muhaxheri, tha për KALLXO.com se mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Haliti, avokati Besnik Berisha, e ka njoftuar Gjykatën se “për shkak të një obligimi të paparashikueshëm nuk mund të jetë prezent në seancë”.

Gjyqtarja Muhaxheri deklaroi se palët janë njoftuar me kohë për shtyrjen e seancës.

Dëshmojnë ekspertët në gjykimin për vrasjen që dyshohet se u krye shkaku i borxhit prej 77 mijë eurove