Pejë, shtyhet gjykimi për vrasjen për borxhin e dyshuar prej 77 mijë euro
Gjykata e Pejës ka dështuar të vazhdojë procesin gjyqësor për vrasjen e 6 marsit të vitit 2017, ku nga plumbat e shkrepur u vra Mentor Zekaj.
Për vrasjen e Mentor Zekajt është duke u gjykuar Kreshnik Haliti, shok i të ndjerit.
Vrasja po pretendohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi prej 77 mijë eurove që Kreshnik Haliti ia kishte Mentor Zekajt.
Seanca e sotme nuk u mbajt për shkak të mungesës së prokurorit të rastit, Ardian Hajdaraj, i cili nuk do të përfaqësojë më këtë rast për shkak të angazhimit të tij si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
“Para 15 min e mora këtë shkresë se është pezulluar nga pozita e prokurorit prokurori i çështjes sepse i njëjti është anëtar i KPK-së dhe kryesues i komisionit për vlerësimin e përformancës, andaj lënda do t’i dërgohet një prokurori tjetër”, tha kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Lumturie Muhaxheri.
Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore godet me armë disa herë tani te ndjerin Mentor Zekaj dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.
22 vite burgim iu shqiptuan Kreshnik Halitit për këtë vrasje në gjykimin e parë, por pas një ankese të mbrojtjes së tij, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Sëmuret i akuzuari, dështon seanca për vrasjen e para tre vitesh në Pejë