Spitali i Pejës (Ilustrim). Foto: Kallxo.com

Pejë: Prokuroria heton stafin mjekësor për vdekjen e pacientes nga Istogu me COVID-19

Prokuroria e Pejës ka filluar hetimet ndaj stafit mjekësor të Spitalit Rajonal të Pejës që kishte trajtuar rastin e 39 vjeçares nga Istogu, që dyshohet se ka vdekur nga COVID-19.

KALLXO.com mëson se veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë nën dyshimin se është kryer vepër penale trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Prokurorja Valbona Disha Haxhosaj me vetiniciativë ka autorizuar kryerjen e disa veprime hetimore lidhur me këtë rast”, tha Nikçi për KALLXO.com.

Nikçi shtoi se në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës është lëshuar urdhëresë për ekshumim të varrit të të ndjerës.

Gjatë ekshumimit kanë qenë të pranishëm edhe prokurorja dhe Policia.

“Me urdhëresë të prokurorisë trupi i të ndjerës është dërguar për në obduksion” tha ai.

KALLXO.com ka raportuar se gruaja nga Lluga e Istogut është operuar në Klinikën Kirurgjike në QKUK ndërsa testet janë kryer vetëm pas operacionit. Para hospitalizimit në QKUK gruaja kishte qëndruar në Spitalin e Pejës ku po ashtu ishte kuruar për sëmundjen e tjera të saj.